Hapja e negociatave për Shqipërinë u bllokua më 18 tetor nga Franca, por duket se Basha është “kujtuar pas të vjelave” për të lobuar për anëtarësimin e vendit në BE. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane dhe do të zhvillojë takime me zyrtarët të lartë të BE dhe drejtues të vendeve anëtare, ku fokusi kryesor do jetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Kongresi i Partisë Popullore Europiane nis më 20 nëntor punimet në Zagreb, ku do të zgjidhet Presidenti i ri i PPE-së. Kandidati i vetëm është Donald Tusk, aktualisht President i Këshillit Europian.
Kryetari Basha do të mbajë një fjalim gjatë punimeve të kongresit, krahas kancelares Angela Merkle, Presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, fituesit te zgjedhjeve në Austri, Sebastian Kurz , Kryetarit të Grupit PPE në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, krerëve e shteteve dhe qeverive të Qipros, Bullgarisë, Letonisë, Greqisë, Rumanisë, Kroacisë, Irlandës, me të cilët do të takohet edhe gjatë Samitit të krerëve të PPE-së.
Kongresi i Partive Popullore Europiane mbahet në Kroaci, vendi më i ri anëtar i BE-së, i cili merr presidencën e radhës për herë të parë në Janar 2020.