Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbajtur një fjalim gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve, ku u përcaktua edhe data e protestës së ardhshme të opozitës së bashkuar. Ai tha se zgjedhjet pa opozitën janë farsë dhe opozita e bashkuar nuk do të lejojë që zgjedhjet të drejtohen nga krimi. Gjatë fjalës së tij Basha ritheksoi edhe një herë qëndrimin e opozitës e nuk do të ketë dialog pa largimin e kryeministrit Rama.
“Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që zgjedhjet në Shqipëri t’i organizojë dhe diktojë krimi. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet. Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysëm, Gjykata e Lartë nuk funksionon, Prokuroria e Përgjithshme është e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël te krimit dhe oligarkisë, që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo. Kolegji i Kryetarëve ka vendosur për mbajtjen e protestës kombëtare të 11 majit si një përballje popullore për të treguar se shqiptarët refuzojnë kategorikisht të vidhen dhe të qeverisen nga krimi. Fatura do të jetë vetëm e Edi Ramës.”- ka thënë Basha