Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin ndër vite me analistin amerikan Daniel Serwer. Basha theksoi se alternativa dhe shpresa e vetme e Shqipërisë është anëtarësimi në BE. Gjatë takimit me mikun e tij Serwer, siç Basha e cilëson, ndau dhe shqetësimin për gjendjen aktuale të demokracisë dhe sundimit të korrupsionit. Megjithatë, Basha tha se Shqipërinë e pret një e ardhme plot shpresë dhe mundësi zhvillimi.
“Daniel Serwer është një mik i çmuar me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë në vitet e anëtarësimit te Shqipërisë në NATO dhe procesit të pavarësimit të Kosovës. Pata kënaqësinë ta pres në Tiranë ku bashkë me shqetësimin për gjendjen aktuale të demokracisë, sundimit të ligjit dhe krimit dhe korrupsionit, ndamë bindjen se Shqipërinë e pret një e nesërme plot shpresë dhe mundësi për zhvillim dhe mirëqenie reale dhe të prekshme nga të gjithë shqiptarët. Shqipëria ka vetëm një alternativë, rruga europiane dhe anëtarësimi në BE.” shkruan Basha
Duket se ndryshimi i taktikës së Bashës, ku harroi protestat e dhunshme dhe bëri 9 kushtet e Bundestagut pjesë të planit të saj, po përkrahet dhe nga ndërkombëtarët, takimet e të cilëve kanë nisur të shtohen në selinë blu.