Prela kërkoi mbylljen e çështjes, Krimet e Rënda kthejnë për hetim “Toyota Yaris”

AKTUALITET


Gjykata për Krimet e Rënda ka kthyer për hetime të mëtejshme dosjen “Toyota Yaris”, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë për kalimin e çështjes në gjyq. Gjatë seancës paraprake prokurorët paraqitën dy akte të reja të ardhura nga Belgjika dhe Italia, ende të papërkthyera, dhe që kanë lidhje me 3.4 milionë euro të kapura më 24 qershor të vitit të kaluar në portin e Durrësit në dy mjete “Toyota Yaris” të ardhura nga Belgjika.

Vetëm pak javë më herët drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela firmosi një udhëzim përmes të cilës udhëzonte dy prokurorët e çështjes, Doloresa Musabelliu dhe Ened Nakuçi të dërgonin dosjen “Toyota Yaris” në gjykatë, duke mbyllur hetimin e kësaj dosje. Në fakt, pas ndryshimeve ligjore me Reformën në Drejtësi, drejtuesit të Prokurorisë nuk i lejohet të nxjerrë udhëzime detyruese për prokurorët që hetojnë çështje të caktuara, pasi cënon pavarësinë e prokurorëve të dosjes dhe kjo u cilësua si shkelja nga ana e Donika Prelës. Megjithatë, në një reagim të sajin, Donika Prela pretendon se “nuk ka detyruar” prokurorët të mbyllin hetimet për dosjen “Toyota Yaris”, por i ka udhëzuar ata që të dërgojnë dosjen për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas saj, këtë gjë ia lejon ligji.


Në lidhje me këtë çështje gazetarja Klodiana Lala në lidhje direkte për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, deklaroi se Donika Prela shkeli ligjin me udhëzimin për të dërguar në gjykatë dosjen “Toyota Yaris”. Sipas gazetares, prokurorja Prela tejkaloi kompetencat duke ndikuar në hetimin e kësaj dosje. “Prokuroria e pranon vetë se nuk e di se kush janë pastruesit e parave. Ky udhëzim është urdhër, sepse jepet urdhër që çështja të shkojë në gjyq para datës 24 shtator. Zonja Prela ka vepruar kundër asaj që thotë ligji, më kanë thënë ish-prokurorë e njerëz që njohin ligjet”, tha Klodiana Lala.

Më tej, sipas saj, Donika Prela mund të nxirrte një udhëzim vetëm për të kërkuar shpejtim të hetimeve, ndërsa me udhëzimin për të çuar dosjen ne gjykatë, sipas Klodiana Lalës, Donika Prela, ndikoi në ecurinë e hetimeve.

Dosja “Toyota Yaris” është në ngarkim të katër të pandehurit e arrestuar, Klevi Cani, Edi Lika (Eduart Cani), Agim Ceka, Alban Mollaymeri, si dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim, Alfred Vladi dhe Elvis Vladi. Akuzat që rëndojnë ndaj të pandehurve janë: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Hetimet për katër të arrestuarit dhe dy personat e shpallur në kërkim nisën në 4 korrik të vitit 2018. Në datën 24 qershor të vitit të kaluar, në Portin e Durrësi, gjatë kontrollit të dy mjeteve tip “Toyota Yaris”, u gjetën një sasi e konsiderueshme valute, 3.366.700 euro dhe 80.000 mijë franga zvicerane. Në kuadër të hetimeve, në datën 24 qershor të vitit 2018 u arrestuan në flagrancë shtetasi Klevi Cami, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, të cilët ndodhen në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa janë në hetim në masën e sigurisë “Arrest në burg në mungesë” dhe shtetasit Alfred Vladi dhe Elvis Valdi.

Dosja “Toyota Yaris” nuk po hetohet vetëm nga drejtësia shqiptare. Për të është duke hetuar dhe drejtësia belge, dy prokurorë të së cilës, pak muaj më parë, erdhën në Tiranë dhe morën në pyetjet kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai ishte personi i parë, që nga foltorja e Parlamentit (një vit më parë) dha lajmin se në Durrës ishin sekuestruar mbi 4 milion euro. Basha ngriti akuza politike, duke akuzuar deputetin Taulant Balla si person që kishte lidhje me paratë e sekuestruara. Megjithatë, deri më sot, Prokuroria ka gjetur fajtor vetëm katër personat e arrestuar dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim, të cilët në fakt për të njëjtën akuzë kërkohen dhe nga drejtësia belge.




Skip to toolbar