Basha projekton veten Kryeministër: Dëmshpërblim për Unazën e Re

POLITIKË


Basha nuk heq dorë nga ëndrra për të qenë kryeministër, ndërsa zërat kundër tij janë shtuar ndjeshëm, duke projektuar çdo ditë veten, kur të vijë në pushtet. Ai ka firmosur me banorët e Unazës së Re një kontratë, duke iu premtuar dëmshpërblim sipas çmimit të tregut, me kushtin e vetëm, që kjo do të ndodhë kur Basha të bëhet kryeministër. Ashtu si në rastin e Teatrit Kombëtar, Basha në kërkim të mbështetësve të rinj, pasi të vjetrit kanë shtuar kritikat ndaj tij, ka firmosur një kontratë me banorët e Unazës së Re, duke u shprehur mbështetjen e opozitës për protestën e këtyre banorëve.

 “Brenda 2 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të rishikojë projektin e zgjerimit të Unazës së Re dhe devijimit të Lumit Lana, si dhe në përputhje me interesin publik, do të ndërmarrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar zhvillimin e zonës sipas interesit të komunitetit dhe dëmshpërblimin, sipas çmimit të tregut, të çdo prone private që preket nga projekti i rishikuar”, thuhet në kontratën e firmosur nga kreu i opozitës Lulzim Basha dhe banorët e Unazës së re dhe Lumit të Lanës në pjesën ku ai do të devijohet.


Për ta konsideruar si pronë që dëmshpërblehet me çmimin e tregut, PD angazhohet që në momentin kur do të jetë shumicë qeverisëse do t’i vlerësojë banesat e ndërtuara në zonën e Unazës së Re sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Të njëjtin skenar, Basha përdori edhe me artistët që janër kundër Teatrit të Ri Kombëtar, duke u premtuar se do e rregullojë të vjetrin, kur të vijë në pushtet, sikur PD nuk ka qenë më herët në pushtet ose sikur teatri u kthye në gjendje të mjerueshme kohët e fundit. Megjithatë duket qartë se me disa kontrata, që ligjërisht mund të cilësohen fiktive, pasi nuk kanë ndonjë fuqi ligjore, Basha po mundohet të mbledhë rreth vetes mbështetës të rinj, në kohën që radhët po i pakësohen nga dita në ditë dhe kauzat e ngritura kanë shteruar me kalimin e muajve, që nuk sollën asnjë produkt pozitiv.




Skip to toolbar