Opozitë me kontratë të përkohshme!

OPINION


Mero Baze


Lulzim Bashës i duhet përsëri një kontratë. Pas kontratës me vëllezërit Budina te Tetari, sot nënshkroi kontratë me protestuesit e Unazës tek “Astiri”.

Përgjatë këtyre muajve, ai ka pasur shumë betime. Iu betua demokratëve se nuk do të ketë 30 Qershor. Pastaj iu betua kryetarëve në detyrë të bashkive të PD, se nuk do dalin nga zyrat. Në fund iu betua atyre se do t’i rikandidojë prapë kur të ketë ndonjë rast.

Pas kësaj tani e tutje, ky njeri nuk bën dot asnjë premtim pa kontratë. Në çdo shoqëri, një politikan është institucion besimi kur flet, është mobilizues energjish njerëzore kur hidhet në aksion, është njeri që ngjall shpresë kur premton. Përkundër këtij modeli, Lulzim Basha është institucion i gënjeshtrës kur flet, është çmobilizuesi më i madh i energjive opozitare dhe njeriu që dëshpëron më shumë opozitën.

Në këto kushte, edhe grupet më minore të dëshpëruara të opozitës, që nuk kanë çfarë humbasin dhe sikur të bëjnë sikur e besojnë, i kërkojnë firmën.

Nuk di kush ia ka këshilluar këtë gjest qesharak. Nuk besoj se është çështje këshilltarësh. Duket më shumë si një gjobë opozitarësh, që ngaqë e dinë se do t’i gënjejë, duan ta kenë me shkrim premtimin.

Nga ana tjetër firmosja e një pakti me banorë që kanë zaptuar tokë pronarësh dhe nuk pranojnë të shpronësohen, bën qesharake dhe gjithë kauzat e PD si parti e djathtë si dhe premtimet për ish pronarët, duke e vulosur atë, si parti e atyre që zaptojnë toka dhe jo atyre që kërkojnë prona.

Por kjo është e keqe për PD, jo për Lulzimin. Për Lulzimin ka filluar një erë e qeverisjes së opozitës me kontratë. Por ndryshe nga të punësuarit që merren në punë me kontratë të përkohshme nga udhëheqës, ky është rasti i vetëm në botë kur udhëheqësi merr me kontratë elektoratin, ngaqë nuk e beson njeri. Pas teatrit, sot mori rreth 20 kryefamiljarë të organizuar nga djali i Fariut tek Unaza. Dhe kështu do vazhdojë më tej derisa të plotësojë numrin që i duhet si elektorat me kontratë.

Është një formë e re e të bërit opozitë kur nuk të beson njeri. Ti merr përsipër t’i zgjidhësh hallin dhe nuk ka nevojë të bësh politikë, të kesh ideologji, apo frymë në shoqëri. Kontratë për zgjidhje hallesh me opozitën. Pak a shumë si kontratë paramartesore, që nëse ndahesh, secili të mbajë të vetat. Dhe këta kur të shikojnë se Luli nuk do zbatojë dot kontratën, do mbajnë secili të vetat. Luli selinë e PD, ata gërmadhat që do prishen tek unaza.