Pas kreut të shtetit, Ilir Meta, i cili kërcënoi publikisht gazetarin Sokol Balla, analizat e thella kritike për krizën politike në vend të publikuara në Realstory, nuk i ka përtypur dot as kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili ka shpallur armik këtë media, duke urdhëruar të gjitha strukturat e Partisë Demokratike që të refuzojnë debatet, diskutimet apo komentet publike për këtë media.
Urdhri i Bashës, ashtu si herët e tjera, nuk mban as firmë as vulë, por që mediat e shkruara raportojnë se ai është dërguar me email tek të gjitha strukturat e PD. Madje në sulmin e tij ndaj medias, kreu i PD arrin deri aty sa i përmend me emra konkretë mediat dhe deklaron se Realstory i shërben propagandës antiopozitare, diversioneve dhe sulmeve kundër opozitës dhe lidershipit të saj?!
Shkresën e dërguar me email, e cila ka dy faqe, sipas gazetës Mapo, Lidershipi i Partisë Demokratike ua ka dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Kryesisë, dhe ish-deputetëve. Bëhet fjalë për një memo, një material për qarkullim të brendshëm, ku jepen porosi lidhur me strategjinë e komunikimit.
Në shkresë flitet për sondazhet e PD dhe po ashtu jepen “këshilla” për qëndrimet politike mbi çmontimin e asaj që e quajnë propagandë të Edi Ramës. Letra përmend emra gazetarësh dhe mediash, që sipas PD përdoren nga Rama, dhe po ashtu, ata që cilësohen mercenarë politikë. Sipas Memos, mercenarët politikë janë ish-drejtues të lartë të PD, të cilët vihen në shërbim të Ramës, sa herë ai është në vështirësi, duke sulmuar Partinë Demokratike.
Email u është dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe forumeve drejtuese, me 23 gusht, ndërkohë që veç sulmeve ndaj Realstory, Basha ka vënë në shënjestër edhe dy portale të tjera. “Për të sulmuar me shpifje dhe të pavërteta PD dhe lidershipin e saj, Edi Rama, pas konsultimit të madh të Mero Bazes dhe Skënder Minxhozit, prej shumë vitesh në shërbim tw pushtet tw Edi Ramws, ka hedhur në skakierën antiopozitare edhe Sokol Ballën me portalin Realstory”, deklaron Basha në shkresën e tij. Gjithsesi, Realstory ka vendosur të mos i përgjigjet sulmit të paprecedentë të Lulzim Bashës, i cili vetëm dy javë pasi dogji mandatet e opozitës, pikërisht në fillim të muajit mars 2019, në tryezën me titull “Liria e medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë”, u shpreh se nuk do të ketë asnjë kufizim për mediat në ngjarjet politike të partisë që drejton, por Realstory do të vazhdojë t’i japë përgjigje pyetjeve “Pse”, “Si”, “Kush”, për të cilat Basha ngriti shqetësimin se askush nuk u jep përgjigje në ditën ndërkombëtare të lirisë së medias. Ndoshta kjo është liria e medias që ai percepton në drejtimin e PD.