UPDATE/ Lulzim Basha zgjedh flamurin gjerman. “Harron” atë amerikan dhe Europian. Kreu i PD jep sinjal se e vetmja negociatë që do të pranojë është ajo e dy miqve të tij deputetë gjermanë. Por ata i kanë kërkuar të heqë dorë nga kërkesa që Rama të ikë nga Kryeministër. Është ky një sinjal?
Me nisjen e fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha para kryeministrisë, demonstruesit e mbledhur kanë nisur të shpërthejnë kapsolla, ndërsa fjalët e kryedemokratit janë dëgjuar me vështirësi për shkak se protestuesit ishin pajisur me vuvuzela. Ish-deputetët e PD-së, mes të cilëve edhe Klevis Balliu, janë parë teksa vendosen para kordonit të sigurisë së forcave të policisë, për të shmangur përplasje të mundshme mes tubuesve dhe forcave të policisë. Militantët kanë hedhur disa tymuese, bojë dhe shashka në drejtim të derës kryesore të godinës së kryeministrisë.
Që në krye të fjalimit të tij, mes flamujve shqiptarë, amerikanë, të BE dhe Gjermanisë, Basha ka zgjedhur këtë të fundit, duke u shprehur nuk ka në Evropë kryeministër që të kapet duke vjedhur zgjedhjet e të mos shporret një orë e më parë.
Ndërsa mbante fjalën e tij para mbështetësve të opozitës së bashkuar e mbledhur në bulevardin dëshmorët e kombit, kryedemokrati Lulzim Basha e ndërpreu atë për të respektuar agjërimin e besimtarëve myslimanë. “Më lejoni në emër të të gjithëve, teksa vjen momenti i thyerjes së agjërimit, për vëllezërit dhe motrat tanë në agjërim, t’ju uroj nga zemra, Zoti jua shpërbleftë sakrificën. Zoti e shndërroftë këtë bekim hyjnor për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë sakrificën tuaj. Ju ftoj të falemi e të lutemi bashkë me ta për një minutë, teksa thyejnë agjërimin në një akt hyjnor të sakrificës dhe të bindjes vetëm ndaj të Madhit Zot si autoriteti suprem i qenieve të tjera mbi tokë.” – u shpreh Basha.
Më tej kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama se më 30 qershor po kërkon të çojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile, dhe kjo vetem për pushtetin e tij.
“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor. Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës. Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë.” u shpreh Basha.
Në përfundim të fjalës së tij, kryedemokrati Lulzim Basha ftoi protestuesit të ndezin dritat e celularëve, ndërsa i ftoi ata të marshojnë drejt parlamentit.
“Ju ftoj të më ndiqni në një marshim, me një mesazh, pa ndërprerje me dritat e celularëve dritat e shpresës, Ndizni dritat, mposhtni errësirën”, apeloi Basha protestuesit, ndërsa Bulevardi u ndriçua më tej nga dritat e protestuesve të cilët në mënyrë paqësore nisën marshimin drejt parlamentit.