Gjatë takimit elektoral në Divjakë, kryeministri Rama nuk ka kursyer edhe batutat për Presidentin Meta dhe ish-kryeministrin Berisha. Ndërsa komentonte deklaratën e Metës për “informacionet nga agjencitë ligjzbatuese”, Rama ironizoi “dmth nga filxhani i Monikës, ku duket një 30 kokë poshtë”. “Këto janë agjencitë ligjzbatuese të Presidentit”, u shpreh ai.
“Sa i takon shqetësimit të madh të Metës do të përsërisja një këshillë që i dha Spiropali, (mamica) ku i tha ke hall të shpëtosh Shqipërinë? Bind Monikën që të mos hakërrehet dhe bind Saliun për Lulin. Janë katër veta, dy kryesorët, Ilir dhe Saliu, më fal, më fal më fal”, përsëriti Rama, duke kërkuar ndjesë se përmendi emrin e Sali Berishës në ditëlindjen e Partisë Socialiste. “Iliri dhe ai tjetri”, vijoi Rama duke shmangur emrin e Berishës, “dhe Monika fallxhorja me artistin dhe e gjitha kjo, një llum në filxhanin e fallxhores”, u shpreh Rama.