Franck Ribery nuk do të rinovojë kontratën me Bayern, e cila skadon më 30 qershor. Sulmuesi 35-vjeçar do të largohet në fund të sezonit së bashku me shokun e tij të skuadrës Arjen Robben, duke i dhënë fund aventurës gati 12 vjeçare me Bayern Munich.
Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi bavarez, teksa citon edhe futbollistin francez, që ka folur për kanalin zyrtar të klubit. “Kur erdha në Bavari, një ëndërr u bë realitet. Lamtumira nuk do të jetë e lehtë, por kurrë nuk do ta harrojmë atë që kemi arritur së bashku, pasi kemi fituar mbi 20 trofe gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Ribery.
Karl-Heinz Rummenigge, Presidenti i Bayern, thotë: “Franck dhe Arjen janë lojtarë të mëdhenj. Bayern u është shumë falenderies atyre, dhe do të përgatisë një lamtumirë të madhe dhe emocionuese. Ata kanë ndihmuar në krijimin e dekadës më të suksesshme të Bayern-it në futboll”, ka thënë numri një i klubit.
Arjen Robben njoftoi largimin e tij nga Bayern në fund të vitit 2018, teksa u shpreh se me mbylljen e sezonit ai do të largohej nga Munich. Sakaq, klubi ka menduar që gjatë sezonit të ardhshëm të organizojë dhe një ndeshje lamtumire për dy yjet e saj.