Bayern luan ‘tenis’ me Mainzin, Abrashi në stol me Freiburg

SPORT


Bayern Munich ka mundur 6-1 Mainz, duke u ngjitur në vendin e dytë në Bundesliga. Skuadra e Kovaç e nisi keq ndeshjen, pasi në minutën e 6-të miqtë shënuan me Boetius, i cili realizoi me kokë nga brenda zonës. Skuadra bavareze ka vuajtur për 30-të minuta, derisa Pavard gjeti golin e barazimit me një gjuajtje spektakolare nga brenda zonës. Në të 45` ka ardhur goli i avantazhit për Bayern, që ishte një tjetër realizim spektakolar i David Alaba, që ekzekutoi perfekt një goditje dënimi nga 25 metra.

Me nisjen e pjesës së dytë, Pavard është bërë përsëri protagonist me një asist spektakolar për Perisiç, që gjen golin e parë me Bayern pas largimit nga Interi. Në shifrat 3-1, skuadra e Kovaç gjen dhe tre herë të tjera rrjetën. Në të 64` ishte Coman, që nga brenda zonës realizoi pas një goditje këndi të Kimmich. Nuk mungoi as Lewandowski, i cili gjeti rrjetën në minutën e 78-të, ndërsa Davies do të mbyllte serinë e golave në minutën e 80-të duke vulosur takimin 6-1 për Bayern.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera Schalke ka mundur 3-0 Hertha Berlinin, ndërsa Freiburgu i Amir Abrashit (nuk luajti), është mundur nga Koln me rezultatin 1-2. Volsburgu ka barazuar me Paderbornin 1-1, po në barazim është mbyllur dhe sfida mes Leverkusen dhe Hoggenheim, ku të dyja skuadrat nuk arritën të preknin asnjëherë rrjetën.



Skip to toolbar