Baze: Çfarë do të ndodhte sot në PD sikur të mos ishte Berisha?

Më të fundit


Partia Demokratike ka marrë më 25 prill ndoshta rezultatin më të mirë historik të saj qysh pas 2013. Ajo ju afrua fitores si asnjëherë tjetër dhe po të mos ishte Ilir Meta me skandalet e tij në fushatë dhe Sali Berisha, që ngjallte një lloj hezitimi tek shtresa gri e shoqërisë, ndoshta mund të ishin fituesit e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Po të llogarisim këtu dhe ndryshimet në Kodin Elektoral për shkak të vendimit për t’u larguar nga Kuvendi, mund të thuhet se PD është në opozitë në fakt prej Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Por çfarë ka ndodhur pas humbjes?


Shpallja e Sali Berishës familjarisht “non grata” prej SHBA, si hajdutë që kanë futur duart në buxhetin e shtetit dhe minues të demokracisë, detyroi Lulzim Bashën si kryetar të distancojë Partinë Demokratike prej tij.

Sali Berisha mund të kishte ikur në shtëpi, natyrisht i zemëruar, por i bindur se kështu së paku mund të ndihmonte forcën e tij politike të ringrihej.

Në të vërtetë, ai ju vërsul si një bishë e plagosur pjellës së vet dhe sot Partia Demokratike është më e dobët dhe më e shkatërruar se në gjithë historinë e saj. Sali Berisha është ringritur mbi shpatullat e trushpëlarve të PD, një shumicë militantësh brenda pakicës politike në vend, dhe ka shkatërruar tërësisht shtresën gri të shoqërisë, që mundëson ndryshimin, dhe është në luftë për jetë e vdekje me pjesën tjetër të partisë që nuk e pranon atë. 

Pra në vërsuljen e tij drejt PD, ai ka shkatërruar dy elementë të rëndësishëm, që e bëjnë një PD të madhe dhe me shpresë për fitoren, ka krijuar armiqësi me pjesën e moderuar të PD që mbështet orientimin perëndimor të PD dhe është kundër Berishës, si dhe ka vrarë përfundimisht shtresën gri të shoqërisë, që mund të votonte PD për të mundësuar ndryshimin.

Kështu, nëse më 25 prill kishim një PD që për 4 mandate humbi pushtetin, tani kemi një fraksion të Berishës që nuk shkon më shumë se 20 mandate dhe një fraksion tjetër që mund të marrë aq, ose më pak, duke u bërë të dy bashkë më të vegjël.

Nëse Berisha nuk do t’i ishte vërsulur PD-së si bishë që ta shqyente, pra do ikte në shtëpi e të gëzonte lekët e vjedhura, natyrisht PD do pastrohej prej tij, shtresa gri e shoqërisë do t’i bashkohej asaj dhe nuk do të ndodhte polarizimi i PD. Mbështetësit e Berishës do respektonin vendimin e tij dhe do t’i bashkoheshin PD-së për fitore.

Mjafton ky reflektim i thjesht për të kuptuar se kush është problemi i opozitës dhe pse ajo është shkatërruar në këtë farë mënyre. Ka vetëm një emër dhe është Sali Berisha. Nëse ai do të ikte,  nuk do të kishte nevojë as për bashkim, as për bisedime, as për fraksione, as për gjyq për vulën dhe firmën. Thjeshtë PD do të kishte shanse të forta të fitonte pushtetin. Ky shans po i shkatërrohet prej Sali Berishës. 

Për të gjithë ata që e duan atë në krye të PD, dhe akuzojnë Lulzim Bashën se po bashkëpunon me Edi Ramën, Edi Rama ka një urim nga zemra: “Të na rrojë sa malet Berisha!”




Skip to toolbar