Baze: Përse nuk ka më kuriozitet për surprizat e Edi Ramës në Asamble? 

Më të fundit


Socialistët po përballen me problemin më të madh që ka partia e tyre në një dekadë në pushtet, që janë të  bllokuar politikisht nga prurjet e kohës kur ishin në opozitë. Edhe pse për 10 vite në pushtet, ka promovuar dhjetëra figura të reja, nuk ka mundur të krijojë profile politike të reja që të përbëjnë gjeneratën politike të pushtetit. 
Aktualisht socialistët dominohen nga luftëtarët politikë të vitit 2007, 2009 dhe 2011 që fituan shumicat e bashkive në opozitë apo garat për deputetë. I gjithë ai fluks politik i ri, dominoi për më shumë se një dekadë në pushtet dhe opozitë dhe arriti ta kthejë Partinë Socialiste në një organizatë politike efiçente, fituese dhe më komplekse ideologjike. 
Aktualisht Partia Socialiste e Shqipërisë, është organizata politike nga më të strukturuarat në historinë e politikës shqiptare, më një shtrirje kapilare në çdo skutë të Shqipërisë dhe një ngjizje të së kaluarës ideologjike me pragmatizmin “rilindas”, që e bën atë një përbindësh të papërballueshëm në skenën e rrënuar politike shqiptare. 
Por kjo është dhe problem i saj. Suksesi i socialistëve nuk ka ardhur nga njerëzit e pushtetit por nga luftëtarët politikë, nga ata që e kthyen betejën politike në një bilanc fituesish. Bashkiakët fitues të asaj periudhe dhe deputetët e provuar në atë kohë, dominuan politikisht Partinë Socialiste për gati 15 vite. 
Por “heronjtë” e gjeneratës së fundit tashmë janë lodhur dhe të lodhshëm për gjeneratën e re të shqiptarëve. Natyrisht ata janë një pasuri për socialistët, por jo më si luftëtarë por si histori. 
Socialistët kanë nevojë për brezin e ri të luftëtarëve politik, për të cilët ishte një rast i mirë të promovoheshin në zgjedhjet e 14 Majit, por që kanë shans të promovohen dhe provohen dhe në zgjedhjet parlamentare të radhës. 
Përveç Qarkut të Vlorës ku drejtuesi politik guxoi të ndryshojë gjithë kryetarët dhe të hedhë në betejë emra të rinj surprizë, qarqet e tjera ruajtën statukuonë, pa dashur të rrezikojnë shumë nga beteja për bashkitë.  
Në fakt ky ndryshim duhet të fillojë sa më shpejt. Duke respektuar historinë e tyre, socialistët duhen të nxjerrin në resht të parë luftëtarët e rinj politikë, që do tu duhen të mbajnë peshën e dekadës që vjen në pushtet apo opozitë ku të jenë. 
Dhe gabimi i rëndë i Edi Ramës është që mendon se katapultimi në pushtet dhe sidomos drejt  e në karrige qeveritare të bën pastaj politikan. Në fakt më lehte të bën hajdut dhe delirant. Ai i ka me gishta dore ndonjë rast suksesi.  
Nuk kam ndërmend të hyj në lojën e emrave, por kemi shumë pak, gati një pakicë emrash që janë promovuar si pushtetarë dhe pastaj janë kthyer në politikanë të mirë.  
Mos të përmend raste që kur janë promovuar si pushtetarë, si zbulime të Edi Ramës, kanë pasur ‘neveri’ për deputetët apo njerëzit që merreshin me politikë, pasi i mendonin si shërbëtorë të tyre, dhe vetëm kur u troket SPAK në derë, apo bien nga karrigeja, të gjithë kuptonin që duhet të vinin në atë karrige nga politika.  
Në këtë pikë Edi Rama është i paqortueshëm si dështak. Nuk besoj se ka ndonjë kryeministër që ka promovuar kaq shumë njerëz të rinj në pushtet, duke i mbetur një grusht njerëzish në politikë. 
Ndaj ata duhet të ndryshojnë formulën e promovimit politik, dhe të bazohen tek ata që fitojnë beteja politike për të pasur më vonë pushtet. Ata që morën pushtetin me “supriza” listash lexuar në asamble, nuk ua pa hairin askush.  
Çdo i ri apo e re që mendon të ketë një karrierë në Partinë Socialiste , duhet ta dijë rrugën nga kalohet dhe ajo duhet të jetë rruga e karrierës politike dhe të bërit njeri politik.  
Nëse karriera kthehet në një algoritëm  të përzgjedhjeve të rastësishme mos prisni më politikanë në atë parti.  
Do ketë nëpunës të emëruar, do të këte ministra që nuk njohin deputetët, do ketë lidhje të shkurtra me lidhje kriminale, majtas apo djathtas, do ketë krushqi me rrethin mafioz të Sali Berishës, apo kujtdo tjetër, pasi ata nuk kanë përgjegjshmëri politike, pasi sjellin në pushtet rastësitë e jetës së tyre. 
Dhe politikanët nuk prodhohen në seminare, as në Akademinë “Qemal Stafa” edhe pse i rinovon vazhdimisht pedagogët. Ata prodhohen në zgjedhje dhe në beteja elektorale, dhe vetëm pas asaj ata dinë mirë se sa vlejnë dhe sa vlen politika.  
Ndaj sot nuk ka askush asnjë kuriozitet për surprizat e Edi Ramës në Asamblenë e Socialistëve, nëse shqipton emra të rinj ministrash që nuk i njohim apo që nuk u del emri as në googel. Është një lojë e provuar gjatë për dhjet vite që ka prodhuar ministra apo drejtorë, por jo politikanë. Politikanët janë e vetmja specie në zhdukje në Partinë Socialiste dhe ky është problemi i së ardhmes së tyre. 



Skip to toolbar