Baze: Presidenti si sekser aparaturash mjekësore

OPINION



Pas krijimit të Komitetit antishtetëror të pandemisë, sot presidenti i ka dërguar një letër ministres së Shëndetësisë, e cila është skaneri më i mirë që mund t’i bëhet rolit të presidentit në këtë pandemi. Përshembull, pasi jep disa këshilla që nuk ja ka kërkuar askush, pasi janë pjesë e protokolleve të përditëshme, apo pasi propozon masa që janë marrë me kohë, presidenti kërkon specializimin me urgjencë të mjekëve të rinj.

Në fakt, specializimet për mjekë të rinj i ka pas mbyll Petrit Vasili në kohën që ishte ministër Shëndetësie dhe i rihapi Ilir Beqja më 2014.


Por ajo që është e pazakontë në këtë letër, edhe ashtu të pazakontë, është propozimi i presidentit që shteti të blejë një aparaturë ECMO “për shpëtimin e jetës për rastet e rënda të këtij infeksioni”, siç thotë ai.

Ngelet që presidenti të caktojë tani dhe çmimin e aparaturës, se koncesionarin e ka anëtar të Komitetit antiqeveritar të COVID dhe kështu të bëjë ndonjë dorë lekësh në kohë pandemie.

Debati deri tani ka qenë që edhe kryeministri të qëndronte larg Komitetit teknik anti-Covd dhe të ishte aty vetëm në rolin e njeriut që duhet të përmbushë nevojat e tyre.

Dhe është përpjekur ta mbajë këtë distancë. Tani gjithë opozita që kritikon Ramën si diktues vendimesh, që në fakt nuk është, ka krijuar Komitetin e saj paralel dhe jo vetëm që dëshiron të diktojë broçkulla, por rekomandon dhe aparaturat që duhen blerë, meqë një anëtar Komiteti e ka përfaqësinë e kësaj aparature.

Kjo e bën presidentin jo vetmë një delirant që jep këshilla që nuk ja kërkon njeri për pandeminë, por dhe një sekser të rëndomtë, që e shikon pandeminë si një rast për ta kapur dhe ai një tender.

Eshtë e disata herë që presidenti tenton t’i imponohet Ministrisë së Shëndetësisë në këtë periudhë, si diktues i saj, apo si njeri që jep urdhëra në kohë pandemie.

Dikush duhet t’i thotë presidentit, që nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë fuqi ligjore të urdhërojë ministra apo të diktojë urdhëra për ta.

Do të ishte mirë që Ministria e Shëndetësisë t’i kthejë një përgjigje përfundimtare, ku t’i thotë të qëndrojë larg propagandës kundër masave qeveritare për COVID.

Nëse mendon se ka fuqi dhe ide se si luftohet COVID le të provojë fillimisht t’i mbushë mendjen gruas së tij, se si të mos rrezikojë të tjerët kur ka COVID dhe nëse ja arrin kësaj, t’i mbushë mendjen dhe vetes që nuk duhet të pijë raki klub më klub e derë më derë, në kohë pandemie, duke thyer rregullat.

Për gjitha këto mund t’i japim një fletë lavdërimi si qytetar i mirë po zbatoi masat. Si president i keq, e ka marrë me kohë leksionin që nuk ja përfill njeri, as dekretet për zgjedhje, dhe jo më muhabetet e sekserëve të tij.