BE kërkon burg për politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar

AKTUALITET


“Ka ardhur koha që të dënohen politikanët që shkelin ligjin dhe gjyqtarë e prokurorë që s’kalojnë Vettingun!”. Kjo është kërkesa e bërë nga ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca. Është pikërisht ky kusht që i kërkohet Shqipërisë të plotësojë në mënyrë që të ecë në rrugën e integrimit europian.

 “Mënyra se si e shoh unë deklaratën e Bundestagut, e shoh si një stimul për Gjyqësorin jo për anën politike, pra një mbështetje politike për ta motivuar Gjyqësorin ose për t’i motivuar ata magjistratë, të cilët kanë tashmë fuqinë, pushtetin, mandatin që të fillojnë hetime. Pra nuk duhet të jetë në nivel politik kjo gjë, që t’u jepet urdhër magjistratëve që të fillojnë një veprim të caktuar. Ata e kanë këtë mandat dhe duhet ta ndiejnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, që tashmë ka ardhur koha që të fillohen hetime, ndjekje penale dhe më pas të arrihet në dënime në gjykata kundër atyre zyrtarëve të nivelit të lartë, përfshirë edhe kundër politikanëve që kanë shkelur ligjin dhe, më lejoni të them, edhe kundër vetë atyre magjistratëve, anëtarëve të Gjyqësorit, që janë hequr nga Vetting-u për mungesë integriteti. Pra duhet të ketë hetime edhe aty dhe për këtë arsye, unë e shoh deklaratën e Bundestagut si kundrejt Gjyqësorit dhe jo politikanëve, jo për politikanët që do të ndërhyjnë në Gjyqësor, por që Gjyqësori të kuptojë që, me mbështetjen jo vetëm të Bundestagut por edhe të të gjithë komunitetit ndërkombëtar, ta marrë në dorë këtë sfidë e të fillojë hetime kundër politikanëve më të lartë ose zyrtarëve më të lartë”, u shpreh Soreca në një intervistë në Report Tv.

Ndërsa, lidhur me problemin se nuk fuksionojnë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë pasi gjyqtarët përjashtohen nga vetting-u, ambasadori u shpreh i bindur se pikërisht kjo konfirmon se vetting-u ishte i domosdoshëm. 

“Ne natyrisht e ndjekim punën e këshillave, të Këshillit të lartë të Gjyqësorit dhe të atij të Prokurorisë, dhe e kuptojmë që po arrijmë shumë afër mundësisë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ketë kandidatë që të kenë kaluar plotësisht Vetting-un për të lançuar SPAK-un, që kemi 8, dhe që në momentin që do të kenë 10 anëtarë ata, kjo është e mundur. Me sa kemi kuptuar kjo do të ndodhë deri përpara fundit të vitit. Gjykata Kushtetuese pas emërimit të dytë, kemi pra edhe vakanca të tjera të cilat mund të mbushen deri në mes të muajit nëntor, në saje të dispozitave të Kushtetutës që lejojnë një periudhë kohore prej 30 ditësh në rast se nuk do të ketë vendim dhe kjo bën që Gjykata Kushtetuese të funksionojë pothuajse në të gjitha funksionet e saj deri në fund të vitit. Me ç’kemi kuptuar për Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ketë mundësi që të vlerësojë grupin e parë të gjyqtarëve, që do të bëjë pastaj që të funksionojë edhe Gjykata. Dhe sërish kjo deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit që vjen. Pra, po arrijmë atë nivel i cili do të bëjë të mundur funksionimin e gjykatave dhe këtë po kërkon Bashkimi Evropian, këtë po kërkon edhe Bundestagu dhe është e rëndësishme që kjo të ndodhë në mënyrë paralele me vazhdimësinë e punës në Bashkimin Evropian për Samitin e Zagrebit në maj”, tha Soreca, i cili shtoi se institucionet e reja të drejtësisë do të jenë funksionale brenda muajit dhjetor të këtij viti.

Edhe më herët realstory.al e ka shkruar se një ndër kushtet kryesore të ndërkombëtarëve për Shqipërinë është të shohë fakte konkrete që drejtësia funksionon duke dhënë shembuj të politikanëve të dënuar me burg, apo të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar që dënohen nga ligji.



Skip to toolbar