Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha palëve që të ndalin urgjentisht tensionet në Lindjen e Mesme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të mërkurën se përdorimi i armëve “duhet të ndalet tani” në mënyrë që të mos degradohen tensionet dhe “t’i japë hapësirë dialogut” për situatën në Iran dhe Irak.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi me Shefin e për Punët e Jashtme të BE Josep Borrell, ajo tha: “Kriza aktuale prek jo vetëm rajonin, por të gjithë ne. Përdorimi i armëve duhet të ndalet tani për t’i dhënë hapësirë dialogut” .
Borrell i përshkroi zhvillimet e fundit në Iran dhe Irak dhe në të gjithë rajonin në tërësi si “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës mund të rrezikojë punën e koalicionit Anti-ISIS.
“Sulmet e fundit me raketa në bazat ajrore në Irak të përdorura nga forcat amerikane dhe të koalicionit, mes tyre forcat evropiane, janë një shembull tjetër i përshkallëzimit dhe konfrontimit të shtuar.
Situata aktuale vë në rrezik përpjekjet e viteve të kaluara dhe gjithashtu ka implikime për punën e rëndësishme të Koalicionit Anti-Daesh (ose Anti-ISIS)”, tha Borrell, i cili përsëriti gjithashtu angazhimin e BE për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të Iranit, duke konfirmuar se ai ka ftuar Ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif në Bruksel për bisedime mbi situatën në vazhdim.
Ndërkohë, NATO po monitoron situatën në Irak dhe ka qenë në kontakt me autoritetet amerikane, i tha një zyrtar i Aleancës, CNN të mërkurën.