Kjo e premte ishte dita e pensionistëve për Sali Berishën. Mblodhi disa bashkëmoshatarë të tij e u shpjegoi programin.
Sipas doktorit, vetëm ai i kupton emocionalisht pensionistët, dhe jo Edi Rama të cilit i duhen dhe ca vite për të mbushur moshën.
“Ata sot janë pa diskutim shtresa më në nevojë që përballen me dhimbjet e përditshme dhe jo pak prej tyre, qajnë çdo ditë me lot të ftohta mjerimi” Unë premtoj sot se pensionistëve sqiptarë të gjitha padrejtësitë marrin fund brenda 3 muajsh. Vendosim minimumin 200 euro”
Doktori i ndau premtimet në disa kategori. Për pensionistët e punësuar, si vetja e tij, do u hiqen taksat. Për aventurierët e moshuar, udhëtime me gjysëm çmimi, kurse për të sëmurët, analiza e ilaçe falas.
“Mora përsipër që pensionistët nuk do paguajnë sigurime apo taksa për pagën. U premtoj udhëtime me gjysmë çmimi në gjithë Shqipërinë. Do të zgjerohet rimbursimi i ilaçeve dhe analizat falas”
Një burim nga do i gjejë doktori paratë është administrata publike. Nuk zbuloi nëse do të rikthehet si në kohët e vjetra, me pushime nga puna apo zëvendësim të punonjësve me militantë të vet.
“Burimi tjetër, sot ka një administratë 230 mijë punonjës, jashtë çdo lloj proporcioni. Natyrisht e gjithë kjo është në kurriz të rrogëultëve dhe pensionistëve, dhe kjo merr fund”
Në takimin me moshatarët e tij, Berishës i mungoi kryepensionisti Jenishehri, aleati i i cili e braktisi “Shqipërinë Madhështore”. Në kohën kur doktori mbante takimin, ai është parë pak metra larg me një çantë të zezë dhe biçikletën e tij pink.
Por Berisha e pranoi, se kjo është vetëm dita e tij, dhe kërkoi që të paktën të premten të mos merren si me Ramën apo dhe me Bashën.
“Ju lutem, fokusi vetëm tek program. Mos merremi as me zhapikë, zhaba, bretkosa. As me lulbravën që është në mission të diktuar”