Besnik Muçi, mes shkarkimit dhe emërimit, në ankth deri më 21 nëntor

AKTUALITET


Ankthi për ish-prokurorin Besnik Muçi, anëtar i dekretuar për Gjykatën Kushtetuese nuk ka përfunduar. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që vendimi për hetimin ndaj tij të jepet më 21 nëntor, ndërkohë që Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka mbyllur përfundimisht hetimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, që ka zgjatur me disa seanca për shkak të dyshime për lidhje të dyshimta të tij. Ish-prokurori Muçi kaloi me sukses shkallën e parë të vettingut, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik.


Gjatë seancës së të martës, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti ndodhet në kushtet e mosdeklarimit të saktë të pasurisë, pasi nuk e justifikoi plotësisht atë. “Për pasurinë 57 m2 blerë në vitin 2006, subjekti ka deklaruar disa hua nga babai dhe xhaxhai. Nga krahasimi i deklaratës së vitit 2006 me deklaratën vetting ka mospërputhje”, tha Komisioni Publik, i cili vlerësoi se nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për huat e marra. “Po ashtu nuk ka dokumentacion te mjaftueshëm për aftësinë financiare të të afërmve që i kanë huajtur para”, shtoi më tej ai.

Po ashtu, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale. Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me biznesmenin Armand Lilo, pronar i kompanisë së ndërtimit ”Arlis shpk” në Tiranë, i cili rezulton me probleme ligjore.

Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro, pasi tek ai ka blerë një banesë. Kontakti me ketë person konsiderohet si i papërshtatshëm. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin.




Skip to toolbar