Betimi i anëtarëve, Manja zbulon “skenarët” që anashkalojnë Metën

POLITIKË


A e merr dot detyrën Arta Vorpsi pa u betuar te Meta? Kjo pyetje shkaktoi diskutime e debate të forta mes të ftuarve në emisionin “Real Story”. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se betimi te Presidenti është një moment ceremonial i rëndësishëm, por nuk lidhet me fillimin e mandatit kushtetues për anëtaret e Gjykatës Kushtetuese. Manja theksoi se nëse anëtaret e reja nuk thirren nga Meta për të bërë betimin, ato duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta marrin atë.

“Betimi është një moment i rëndësishëm se lidhet me besueshmërinë që një anëtar ka ndaj Kushtetutës, por mbetet një element ceremonial. Kjo do të thotë se betimi nuk është element konstituimi që të lidhet me fillimin e mandatit kushtetues. Betimi nuk mund të bllokojë një funksion kushtetues dhe këtë qëndrim ka mbajtur edhe Komisioni i Venecias në një precedent në Poloni. Unë shpresoj që Meta të mos e bëjë këtë, por nëse ndodh anëtari shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe mbledhja plenare e gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese konsiderohet si nisja e mandatit të anëtarëve të Gjykatës. Presidenti nuk e ka dekretuar Arta Vorpsin, por ajo konsiderohet e emëruara e parë e Gjykatës Kushtetuese. Vorpsi konsiderohet e emëruar për efekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Jemi të detyruar të zbatojmë Kushtetutën. Po të shkojmë në absurditet, na duhet të pranojmë edhe atë letrën. Sjellja e Presidentit nuk është kushtetuese” tha Manja.

Për deputetin e opozitës Ralf Gjoni betimi është një proces kushtetues dhe se anëtarët nuk mund të nisin punën pa u betuar. Gjoni tha se nëse Meta nuk i thërret të betohen Vorpsin së bashku me Toskën e Papajorgjin, atëherë shkon në përplasje të madhe e të fortë që shkon shumë më tej se zgjedhjet lokale të qershorit.

“Nëse Arta Vorpsi nuk thërritet nga Presidenti për betimin, edhe ajo urë e vogël komunikimi mes Kuvendit dhe Presidentit, shkatërrohet. Nëse Meta nuk thërret anëtaret e zgjedhura për t’u betuar, kjo do të çojë në një përplasje të madhe Kushtetuese, shumë më e fortë se ajo e zgjedhjeve lokale të qershorit” tha Gjoni.



Skip to toolbar