PS i përgjigjet Metës: Do të mbash peng ngritjen e kushtetueses për një vit

#NËRADAR


Nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e quajti tentativën e Ilir Metës për të bllokuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, si konflikt të pastër politik. Manja foli të hënën gjatë seancës parlamentare, duke u shprehur se “Presidenti e lexon Kushtetutën politikisht e jo si garant i saj”. Ndaj, Manja i kërkoi Metës të çlirohet nga konflikti dhe të bashkëpunojë për të plotësuar vakancat e Kushtetueses.

“Sot është momenti të dëshmojmë seriozitetin e vullnetin politik për ta bërë funksionale kushtetuesen. Duhet të bëjmë detyrën tonë, kandidatët që na ofrohen për votim janë dy zonja që i bëjnë nder gjykatës Kushtetuese. Kemi një debat me Presidentin, si përherë na paraqetitet si debat kushtetues po në thelb është konfliktik i pastër politik, që kur Presidenti e lexon kushtetutën politikisht e jo si garant i saj. Në rastin e kushtetueses duhet të çlirohet nga mentaliteti i konfliktit politik dhe të bashkëpunojë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese”, tha Manja.


Më tej, deputeti  socialist, dha dhe arsyet e vërteta pse, sipas tij, Meta po bllokon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. “Doja t’i bëja një pyetje presidentit: E supozojmë se do të zbatojmë radhën. Të parin e ka dekretuar presidenti, të dytin po e votojmë ne sot, radha nuk i shkon presidentit për të tretin, e ka Gjykata e Lartë por që nuk e voton dot. Atëherë çfarë do bëjmë sipas presidentit do bllokojmë Gjykatën Kushtetuese dhe për një vit? Arsyetimi i presidentit nuk është dashamirë por dashakeq. Është momenti që këto dy zonja që do t’i votojmë pak më vonë, t`i mbështesim”, tha Manja.

Të dielën, Presidenti publikoi letrën e plotë, ku argumentonte pezullimin e procesit të zgjedhjes së anëtarit të dytë  të Gjykatës Kushtetuese. Meta citonte disa herë faktin që sipas Kushtetutës është përcaktuar se plotësimi i vakancave bëhet sipas radhës, President, Kuvend dhe Gjykatë e Lartë. Në  kushtet kur mungon Gjykata e Lartë, gjasat janë që Ilir Meta do e përdorte si alibi për të bllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Pra, nëse Kuvendi do të votonte vetëm një anëtar të hënën, duke ndjekur procedurën e sipërpërmendur, alibia e Metës për të kundërshtuar më pas zgjedhjen e anëtarit të dytë prej tij do të forcohej, pasi radha, pas Kuvendit, do të ishte e Gjykatës së Lartë, dhe jo e presidentit. Atë që Ulsi Manja e tha sot, Realstory.al e paralajmëroi të dielën, bllokimi i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti duket i paramenduar. /Realstory.al/




Skip to toolbar