Të hënën, zgjidhen dy anëtarët e “Kushtetueses”

POLITIKË


Kuvendi voton të hënën, më datë 11 nëntor, dy anëtarët e tij për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se Kuvendi do ushtrojë të drejtën e tij në bazë të rregullores për t’i zgjedhur të hënën, ndërsa në lidhje me kërkesën e  presidentit Meta për pezullim të procesit tha se “një letër nuk ka fuqinë të anulojë një veprim juridik”. Manja tha se Kushtetuta është e qartë në këtë pikë dhe vepron njësoj për të gjithë si për Presidencën, Kuvendin dhe Gjykatën e Lartë, në lidhje me afatin e zgjedhjes së anëtarit për plotësimin e vakancës në Kushtetuese dhe se si do të zgjidhet ai nëse një nga këto organe nuk vendos në kohë.   

Presidenti ka dërguar një letër ku kërkon pezullimin e dekretimit të vakancës së dytë që i takon presidentit, dhe unë nuk di që letra pezullon një veprim juridik. Kushtetuta flet shumë qartë. Secili nga institucionet kushtetuese të përfshira në procesin e kompozimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe këtu e kam fjalën për Presidentin, Kuvendin dhe Gjykatën e Lartë nëse nuk e ushtrojnë këtë kompetencë brenda afatit 30 ditor kandidati i listuar i pari konsiderohet i emëruar dhe ky afat është afat prekluziv. Kuvendi i Shqipërisë ditën e hënë do të ushtrojë këtë kompetencë në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, tha Manja.


Manja tha se Presidenti dhe Kuvendi kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën si e lexojnë Kushtetutën, ku fton Metën që ta lexojë atë me “frymën e zhbllokimit”.

“Kemi këndvështrime të ndryshme si gjykojmë Kushtetutën dhe Ligjin. Nga sot presidentit i ka skaduar afati 30 ditor për të dekretuar vakancën e dytë të shpallur prej tij për Gjykatën Kushtetuese. Unë e ftoj presidentit që në këtë fazë të procesit të plotësimit të vakancave Kushtetuese të lexojë kushtetutën në frymën e zhbllokimit të procesit”, shprehet Manja.

Presidenti Meta kërkoi më 7 nëntor, një ditë para skadimit të afatit, pezullim të procesit me arsyetimin se ishte shkelur Kushtetuta dhe se ai nuk mund të zgjidhte anëtarin e dytë pa folur ende Kuvendit. Vetë KED iu përgjigj menjëherë letrës së presidentit duke i lënë të kuptohet se ajo ka për detyrë vetëm të hartojë listat e kandidatëve dhe jo të pezullojë procese, afatet e të cilave janë të vendosura në Kushtetutë. Në këtë mënyrë pritet që mbrëmjen e 8 nëntorit, kur mbaron edhe afati i Presidentit për plotësimin e vakancës në Kushtetuese, të zgjidhet Arta Vorpsi, e cila renditet e para në listë.




Skip to toolbar