Biba: PD i bëri presion KQZ. Por duhet vlerësuar për Kajmakun

AKTUALITET


Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba foli në News 24, pak ditë pas vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Për numrin dy të KQZ, letra e sekretarit të PD drejtuar institucionit të adminsitrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, ishte formë presioni. Megjithatë, Denar Biba vlerëson faktin që Partia Demokrati arriti të zbardhte të shkuarën e Kajmakut.  “Letra e Gazmend Bardhit drejtuar KQZ ishte pa asnjë dyshim një formë presioni. Është për t’u përgëzuar PD, sepse ishte iniciatore, si duket pati informacionet, dhe shkoi përtej mundësisë së KQZ, madje edhe Prokurorisë, për Kajmakun e të tjerët. KQZ ka qenë korrekte kur iu ka kërkuar institucioneve shqiptare, jo të huaja, të dhëna për kandidatët. KQZ nuk ka asnjë lloj mundësie që të ketë kontakte apo informacion se çfarë kanë bërë shqiptarët jashtë shtetit. PD duhet përgëzuar, por letra ishte një lloj presioni”, u shpreh Biba.

Zëvendëskryetari i KQZ tregoi se mes anëtarëve të këtij institucioni pati rezerva për shkarkimin e Kajmakut. Megjithatë, zhvillimi i mbledhjeve me dyer të hapura për mediat kur gjykohet në bazë të ligjit të Dekriminalizimit, për Denar Bibën cënon liritë e individëve, pasi ekspozohet jeta e këtyre personave.  “Kishte rezerva, tendencë për të manipuluar jo. Për fat të mirë dhe të keq, të gjitha vendimet e KQZ janë live. Jo vetëm procesi i vendimmarrjes, por edhe i arsyetimit që bëjnë anëtarët. Kjo është e mirë për publikun, por jo i rehatshëm për ne anëtarët, që duhet të bëjmë çdo mendim publik. Kam thënë se prezenca e medias gjatë gjithë gjykimit nuk është korrekte, pasi mediat në gjykata nuk lejohen gjatë gjithë kohës. Në rastet kur ne gjykojmë në bazë të ligjit të Dekriminalizimit preken thelbësisht liritë e individëve, ekspozohet jeta e tyre personave, në rast konkret e Agim Kajmakut”.

Denar Biba sqaron më tej se ligji i Dekriminalizimit është në përplasje me një vendim të Kuvendit, në lidhje me kandidimin ose jo të personave që kanë kryer vepra penale. “Legjislacioni që rregullon për Dekriminalizimin përbëhet nga norma kushtetuese, ligji i Dekriminalizimit, vendimi i Kuvendit dhe formulari përkatës që mbushin të gjithë subjektet. Ndërkohë që ligji parashikon vepra përkatëse dhe thotë “ndalohet të kandidojnë apo të zgjidhen individë që kanë kryer 1, 2.. deri 70 vepra penale”, jep edhe ndalesën tjetër për kohëzgjatje dënimi, ku shumica janë përkohësisht, shumë pak janë ata që ndalohen për të gjithë jetën, nuk parashikon rastin e deklarimit ose të mos tregimit të së vërtetës në formular si vepër penale dhe si rast për shkarkim. Në këtë pikë, vendimi i Kuvendit ka tejkaluar ligjin dhe ka përcaktuar një rast të ri shkarkimi. Kjo është qartësisht në kundërshtim me ligjin. KQZ nuk mund të bënte asgjë, ne jemi operatorë së të drejtës. Dekreti i Presidentit ishte një akt individual. Ne nuk kemi thënë që dekreti është anti-kushtetues, por është në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Denar Biba.



Skip to toolbar