Bie grupi i “mesit” në PD/ Zheji: Votat i duan për t’u mbrojtur nga SPAK. Minxhozi: Deputetët u vetëçarmatosën përballë një politikani 80-vjeçar

Më të fundit


TIRANË- Në emisionin “Real Story” u diskutua lëvizjet e fundit të grupit të Bardhit, të cilët janë bashkuar sërish rreth kampit të Berishës, përkundër njollës “Non grata” që mban mbi supe si politikan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Analisti Artur Zheji tha se Bardhi me deputetë të grupit të tij kanë shkuar te ish-kryeministri Sali Berisha për interesa personale dhe jo për të ndihmuar ngritjen e PD-së dhe nisjen e përballjes më pas me qeverinë Rama. Sipas tij, të gjithë sot në grupet e PD-së mendojnë për vete dhe nuk llogarisin asgjë përtej kësaj.

“Numrat që doktori mendohet se ka…dhe kjo duhet verifikuar, janë të tilla, se nëse e vendos në një vend të mirë në Elbasan, atëherë ka një vend të sigurt për t’u rikthyer në Parlament. Këtu nuk diskuton njeri për rotacion, por secili mendon për vete. Nuk shohin më larg se kaq. Shesh mandatin e deputetit te doktori”, tha Zheji në “Real Story”.

Më tej, Skënder Minxhozi, duke parë situatën e përmblodhi në një “ushtrim logjik” të gjithë skenarin dhe çfarë pritet më pas qoftë në opozitë ashtu dhe në qeveri.

“Një rrugë, e cila nuk të çon askund. Amerikanët vazhdojnë qëndrimin e tyre, Berisha në shtëpi dhe i hetuar, Rama dhe Basha bëjnë reformën zgjedhore, zgjedhjet i fiton Edi Rama dhe këtë bëhen deputetë të opozitës edhe katër vite të tjera, por ama Rama bëhet edhe njëherë kryeministër. Kjo është ajo që shohim tani. Këtë zotërinj zgjodhën mandatin e deputetit, përballë ndërtimit të opozitës. Këtu kemi një dorëzim ose vetëçarmatosje të të gjithë kuadrit të deputetëve përballë një politikani 80-vjecar, i cili nuk të çon askund përveçse te një derë nostalgjie, e cila nuk të jep asgjë, përveçse një të tashme të rrejshme”, tha ai.

Në përgjigje të kësaj, Zheji tha se të gjithë nga opozita rendin dhe kërkojnë vota jo për të bërë opozitë, por për t’u mbrojtur nga SPAK.

“Kush e ka mendjen aty, të gjithë e kanë mendjen te SPAK. Votat sot i duan për t’u mbrojtur nga SPAK”, u shpreh ai.



Skip to toolbar