Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një bilanc të situatës, një ditë pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin. Në një dalje për mediat, Xhaçka u shpreh se të gjitha strukturat janë angazhuar në terren për të përballuar situatën. Sipas ministres, dëmet e shkaktuara nga tërmeti kanë qenë më modeste se sa mund të priteshin nga një tërmet i këtyre përmasave, duke theksuar se kryesorja ishte fakti që lëndimet në njerëz nuk ishin serioze për jetën.
“Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve. Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate”, tha Xhaçka. Më tej, ministrja u shpreh se në terren janë angazhuar qindra forca ushtarake dhe mbi 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë zhvilluar mbi 295 misione shërbimi.
“Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm. Në total, në rajonin Tiranë Durrës këto ekipe janë mbështetur nga 25 autoambulanca që vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe tani që flasim. Ekipet mjekësore gjatë 24 orëve të fundit kanë asistuar në 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për situata mjekësore jo të rënda dhe që s’kanë pasur nevojë për ndjekje të mëtejshme”, tha Xhaçka.
Ndërkohë, më shumë se 24 orë pas tërmetit, Ministrja Xhaçka ka dhënë edhe një shifër për numrin e banesave dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Në total janë 915 banesa e pallate të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa sipas ministres, familjet e prekura janë kontaktuar dhe vazhdojnë të kontaktohen për t`iu ardhur në ndihmë.
“Të gjithë familjet e prekura, në secilën prej 915 banesave dhe pallateve të dëmtuara, janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës socialë. Dua ta theksoj që, sipas raportimeve të deritanishme, në pjesën dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht plasaritje të suvasë apo mureve. Gjithsesi, ato godina qe ndërkaq jane te evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët, të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te banueshme apo jo”, tha ministrja.