“Shpëtuan jetë”, Xhaçka vlerëson forcat e huaja

AKTUALITET


Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë një konference me ambasadorin e BE, Luigi Soreca u shpreh se jetët e humbura nga tërmeti do të kishin qenë më shumë, nëse nuk do të kishte qenë ndihma e forcave të huaja në operacionin e kërkim-shpëtimit.

“Do të kishim pasur me shumë jetë të humbur pa 780 ekspertët që luftuan për shqiptarët, do të jenë në mirënjohjen dhe zemrat e shqiptarëve. 400 është numri i objekteve të vlerësuara deri tani. Shifrat flasin për përmasa apokaliptike të dëmtimeve. Sfidë është rimëkëmbja, unë jam optimiste nga mesazhet, gatishmëria dhe ndihmat e vendeve të BE-së që nuk do të jemi vetëm në këtë sfidë”, tha Xhaçka.


Më tej, Xhaçka shtoi se dhimbja për jetët e humbura është e madhe. Megjithatë, ajo tha se mes zisë dhe dhimbijes, solidariteti i jashtëzakonshëm të jep shpresë.

“Miku i mirë njihet në kohë të vështira. Shqipëria nuk është vetëm. Tërmeti ishte shkatërrues por do ia dalim që të ndërtojmë çdo banesë në Durrës dhe Thumanë. Na lëndojnë jetët e humbura. Duhet të kalojë shumë kohë përpara se plagët të shërohen. Bëmë gjithçka për të ndihmuar për cilindo që kishte nevojë për ndihmë. Mes zisë edhe dhimbjes e vetmja gjë e bukur që të jep shpresë është solidariteti i jashtëzakonshëm që vërshoi nga shqiptarët dhe partnerët. Një ngjarje e tillë do të kishte qenë e vështirë të përballohej vetëm”, tha ministrja.




Skip to toolbar