Prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 7 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të urbanëve, që u zbulua pak ditë më parë duke sjellë prangosjet.
Organi i akuzës kërkoi burg për Ferdinand Ibrahimin, që është administrator i linjës së unazës e pronar i ‘Ferlutit’, për djalin e tij Anastas Ibrahimi, Fatos Vrapin, Erisa Vorën, Klodiana Qaton, Aldi Dukën dhe Lulzim Allarajn, ndërsa për Albana Vrapin u kërkua detyrim paraqitje.
Në gjyq kanë dalë fillimisht Fatos Vrapi, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “AlbaTrans” dhe bashkëshortja e tij, Albana Vrapi, administratore dhe ortake, të dy janë bashkëpronarë të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës; Evis Vora, i cili ka në pronësi linjën e Porcelanit; Lulëzim Allaraj, dispeçer i një linje autobusësh; Aldi Duka, 39 vjeç, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh; Klodiana Qato, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh. Po ashtu, në gjyq kanë dalë edhe babë e bir, Ferdinand dhe Anastas Ibrahimi, të cilët janë ortakë në linjën e Unazës.
Por, pavarësisht telefonatës së përgjuar nga prokuroria, biznesmeni Ferdinand Ibrahimi ka mohuar dijeninë për biletat e falsifikuara, duke pretenduar se biletat që janë gjetur kanë qenë të vjetra dhe nuk ishin në përdorim. “Nuk kam dijeni për biletat e falsifikuara. Biletat e gjetura në makinë kanë qenë të vjetra e që nuk ishin në përdorim”, mësohet se është shprehur ai. Por përgjimet e nxjerrin blof, pasi ai është kapur në bisedat telefonike duke i kërkuar djalit të tij që t’i digjte dokumentet. Biseda shërbeu si indicie kryesore për të rënë në gjurmët e stokut me 105 mijë biletave të falsifikuara.
Kjo bisedë është bërë pikërisht në momentin kur policia kishte rrethuar shtëpinë e Ferdinand Ibrahimit, duke i kërkuar këtij të fundit të shkonte me ta në polici. Por biseda është përgjuar dhe më pas policia ka ndaluar djalin e Ferdinandit, Anastasin, duke i kapur në makinën luksoze një valixhe blu të mbushur plot me bileta false, ndërsa aktiviteti kriminal llogaritet që i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 1 miliard lekësh.
Arrestimi i tyre u bë “Në kuadër të Planit të Masave ‘Mbi informalitetin në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, trajtimi i mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal’, sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një hetimi njëmujor me metoda speciale të hetimit, për goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetit”.
Të arrestuarit
1. Ferdinand Ibrahimi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës
2. Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, djali i Ferdinandit, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar
3. Fatos Vrapi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “Alba Trans”
4. Albana Vrapi, 51 vjeçe, bashkëshortja e Fatosit, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronarë të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës)
5. Evisa Vora, 33 vjeçe, ka në pronësi linjën e Porcelanit, me detyrë administratore
6. Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, dispeçer i një linje autobusësh
7. Aldi Duka, 39 vjeç, me detyre dispeçer i një linje autobusësh
8. Klodiana Qato, 42 vjeçe, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh