Blendi Kajsiu: Kush po e varros opozitën?

Më të fundit


Nga Blendi Kajsiu

Çështja McGonigal ka hedhur edhe një herë në qarkullim tezën se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për lëngatën politike të opozitës. Është ky i fundit që, në fillim me Sorosin dhe më pas me FBI-në, e ka varrosur opozitën shqiptare dhe bashkë me të edhe demokracinë. Ndaj “skandali” McGonigal paraqitet mbi të gjitha si provë e asgjësimit të opozitës nga ana e pushtetit nëpërmjet korruptimit të SHBA-ve.


Kemi të bëjmë me një konspiracion që ka gjetur një “kokë turku” për të fshehur shkaqet reale të krizës së opozitës.  E vërteta e thjeshtë është se kriza e opozitës nuk zgjidhet edhe sikur Edi Rama të largohet që nesër nga politika, sikurse u largua Gramoz Ruci dje. Kaq mjafton për të rrëzuar teorinë e Ramës si varrmihës të opozitës.

E vërteta e dhimbëshme është se Partia Demokratike sot nuk vjen dot në pushtet edhe sikur përballë të ketë Erjon Veliajn, Belinda Ballukun, Pandeli Majkon, apo Niko Peleshin, sepse ajo në zgjedhje nuk përballet thjesht me një individ por me Partinë Socialiste të Shqipërisë (PSSH). Është organizata politike më e fuqishme, më e disiplinuar dhe më jetëgjatë që ka ekzistuar në historinë politike të kombit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjëve të tij.

Opozita PD-LSI sot nuk vjen në pushtet edhe sikur zgjedhjet të organizohen nga një qeveri teknike apo nga një mision i Bashkimit Evropian. Natyrisht pas humbjes së zgjedhjeve opozita do denoncojë kapjen e BE-së apo të qeverisë teknike nga Rama. Pse jo? Nëse Rama kap SHBA –të përse nuk do kapë një qeveri teknike apo disa diplomatë evropian?

Natyrisht në këtë pikë opozitarët e sinqertë do argumentojnë se Rama e mori në qafë PD-në me non-gratën e Berishës. Le të supozojmë se non-gratën e bëri Rama pasi mori në telefon SHBA-të nga një numër sekret që i kish dhënë Sorosi. Problemi është se PD-ja kish hyr në krizë të thellë shumë përpara shpalljes non-grata të Sali Berishës.

Humbja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 e trullosi plotësisht PD-në që ish rrapatosur 8 vite rrugëve në opozitë. Ishte humbja e disatë e Bashës, pasi kish humbur thellë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, pasi humbi të gjithë pushtetin vendor sepse nuk hyri në zgjedhje, pasi kish djegur kot të gjitha mandatet në parlament duke i dhuruar aty një shumicë absolute Edi Ramës. 

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, humbësi serial Lulëzim Basha u rizgjodh kryetar i PD-së në mënyrë rrufe, pa një analizë mbi humbjen e zgjedhjeve, pa fushatë brenda partisë dhe me manipulim të antarësisë. Të trullosur dhe me sytë nga Berisha demokratët ri-zgjodhën një líder tek i cili nuk kishin fare besim sepse i conte nga humbja në humbje. Kjo ishte pika e fundit që e mbushi gotën e agonisë opozitare dhe e futi PD-në në një depresión të thellë politik.

Në këto kushte shpallja e Berishës non-grata e zgjoi PD-në nga letargjia e thellë politike ku ndodhej dhe hapi debatin themelor pro dhe kundër berishizmit. Të gjitha debatet dhe analizat që duhet të ishin bërë pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 u bënë pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar si pasojë e shpalljes së tij non-grata. Ishte kjo ngjarje që krijoi hapësirën ku mbështetësit dhe kritikët e berishizmit më në fund mund të shpreheshin haptas.

Shpallja e Berishës non-grata jo vetëm që nuk e varrosi opozitën por i dha asaj një mundësi për të bërë katarsis, për rinovim, për hapje ndaj shoqërisë dhe demokratizim nëpërmjet debatit të hapur politik.

Pavarësisht qëllimit të tyre politik, si foltoret e Berishës edhe Kongresi që organizoi Basha i dhanë frymëmarrje PD-së dhe ngjallën shpresë dhe mobilizim si tek berishistët edhe tek anti-berishistët. Krijuan hapësira reale të debatit politik që trazuan ujërat e ndenjura të opozitës.

Fatkeqësisht mundësia që ofroi shpallja non-grata e Berishës për renovimin dhe reformimin politik të opozitës ende nuk është materializuar. Teksa carja mes dy kampeve konsolidohet dhe debatet mes berishistëve dhe anti-berishistëve fiken PD thjesht po kthehet në agoninë ku lëngonte që pas zgjedhjeve të vitit 2021.

PD-ja me në krye Berishën sot është e ngjashme me PD-në e Bashës pas zgjedhjeve paralamentare të vitti 2021; pa fabul, pa ofertë dhe me një udhëheqës që e con drejt humbjes së sigurt. Natyrisht gjendja sot është edhe më rëndë si pasojë e shpalljes së Berishës non-grata, por kriza themelore e PD-së nuk mund të reduktohet thjesht tek kjo e fundit.

Mjafton të imagjinojmë rrugëtimin e opozitës pa non-gratën. Sot PD-ja në krye të saj do kishte Bashën, me Berishën nga prapa dhe me Metën anash. Pra në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 opozita do prezantohej me të njëtën formulë humbëse të vitit 2021, Basha-Berisha-Metaj! Me një líder si Basha që nuk frymëzonte as vetë PD-istët. Me të njëjtën fabul të dështuar: është rradha jonë për të qeverisur!

Denocimi i Ramës si ekzekutues i opozitës shërben thjesht për të zhvendosur vëmendjen nga varrmihësit e vërtetë të saj që ende janë me lopatë në dorë. Varrmihësi kryesor i opozitës është pa dyshim Sali Berisha që e ka reduktuar PD-në në mburojë të halleve personale. Mjafton të shikosh se si aksioni politik i PD-së berishiste sot nuk ka fare lidhje me ardhjen në pushtet të opozitës. Sot PD-ja është reduktuar në lavazhin politik të Berishës.

Midis aksionit elektoral dhe denoncimit të faktorit ndërkmbëtar aksioni opozitar sot anon dukshëm nga kjo e fundit. Mjafton të shikosh se sa kohë dhe investim opozita sot harxhon në bërjen e fushatës elektorale në nivel lokal dhe sa kohë dhe energji harxhon duke denoncuar korruptimin e faktorit ndërkombëtar apo projektet e tij si reforma në drejtësi dhe SPAK.

Politikisht sulmet e opozitës ndaj sistemit të drejtësisë jo vetëm që nuk shërbejnë për forcimin e këtij të fundit por e vendosin opozitën në përplasje direkte si me BE-në edhe me SHBA-të që janë mbështetësit dhe ideatorët e reformës në drejtësi. Kështu Edi Rama transformohet në interlokutorin e vetëm të faktorit ndërkombëtar në Tiranë.

Nga ana tjetër, sulmi ndaj reformës në drejtësi nuk i shton opozitës vota tek elektorati gri që i duhet për të ardhur në pushtet. Idea se ky elektorat do votojë opozitën sepse ajo po sulmon reformën në drejtësi që financohet dhe mbështetet nga ndërkombëtarët nuk ka asnjë llogjikë elektorale. Sidomos po të kemi parasysh se gjatë qeverisjes Berisha-Meta drejtësia në Shqipëri administrohej nga gjin gjonërat.

Sulmi ndaj SPAK apo reformës në drejtësi mund ti shërbejë Berishës dhe Metës sepse delegjitimon hetimin e tyre nga këto institucione. Ama elektoralisht është një sulm që i heq opozitës jo vetëm votat e elektoratit gri por edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Ndaj nuk ka llogjikë elektorale.

Në të njëjtën mënyrë sulmet ndaj ambasadores së SHBA-ve apo akuzat për korrupsion ndaj ambasadorit të Britanisë së Madhe nuk kanë asnjë llogjikë politike apo elektorale në funksion të ardhjes në pushtet të PD-së. Përkundrazi ato largojnë jo vetëm diplomatët por edhe elektoratin gri që beson shumë më tepër te SHBA-të dhe Britania sesa tek dyshja Berisha-Meta. Këto sulme shërbejnë thjesht për të delegjitimuar shpalljen non-grata të Berishës.

Në fakt i gjithë aksioni opozitar organizohet në funksion të këtij qëllimi. Cështja McGonigal trumpetohet me forcë si evidencë e kapjes së SHBA-ve nga Rama për të shpallur non-grata Berishën. Ndaj opozita merret më shumë me të dashurat e McGonigal sesa me problemet e qeverisjes vendore, apo me shqetësimet e qytetarëve në nivel lokal, edhe pse zgjedhjet vendore janë në prag.

Por natyrisht Berisha nuk ia ka bërë opozitës varrin vetëm. Atë e kanë ndihmuar plot ushtarë brenda dhe jashtë PD-së. Një pjesë e mirë e mbështesin thjesht sepse mendojnë se është më i forti brenda PD-së dhe mund tu ofrojë dicka. Të tjerë e mbështesin sepse ka shumicën e votave në PD, edhe pse kjo shumicë ka ngrirë prej 30 vitesh. Ashtu sikurse ka plot të tjerë që e adhurojnë Berishën sepse i jep zë urrejtjes së tyre ndaj Edi Ramën.

Në groposjen e opozitës nuk mund të injorohet as grupimi anti-berishë me liderin e tyre Basha apo Alibeaj. Një grup që ende nuk ka mësuar se si të përballet me Berishën qoftë si individ qoftë si fenomen, teksa pret që opozitën t’ía dhurojë gjykata ose ambasada amerikane.

Është cudi e madhe ta kërkosh agoninë e opozitës te Rama, te Sorosi apo te McGonigal në Washington teksa varrmihësit e saj vazhdojnë punën me lopata në dorë në mes të Tiranës. Është absurde të mendosh se Rama, Soros apo McGonigal do shpenzojnë kapitalin e tyre të vyer politik, diplomatik, dhe financiar për të varrosur një kufomë politike që cdo ditë i bën varrin vetes.

Ishte tragjik justifikimi i Enver Hoxhës dje se fajin për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë e kishte imperalizmi anglo-amerikan dhe poliagjentët e tij. Është qesharake sot të dëgjosh Sali Berishën teksa përsërit të njëjtin refren për gjendjen e mjeruar të opozitës. Ndoshta kish të drejtë Marksi me Hegelin kur vërenin se ngjarjet dhe personazhet historike shfaqen dy herë, herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë.  




Skip to toolbar