Pak orë para ndeshjes zyrtare mes Shqipërisë dhe Islandës, Policia e Elbasanit ka publikuar planin e masave për sigurinë në këtë takim. Për të garantuar zhvillimin në normalitet të kësaj ndeshje, Policia e Elbasanit ka vendosur të angazhojë 215 forca të Policisë së Rendit, Qarkullimit, Shqiponjat, FNSH-ja dhe Policia Kriminale.
Ndërkohë, duke nisur nga ora 18:00 e mbrëmjes, deri në përfundim të ndeshjes, do të mbyllen të gjitha lokalet dhe bizneset e tjera pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e Policisë dhe nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, shisheve me tapë, çelësave, monedhave apo metaleve (të çfarëdo lloji).
Ndeshja Shqipëri-Islandë do të luhet në orën 20:45 në “Elbasan Arena”, në takimin e gjashtë kualifikues për kampionatin Europian të vitit 2020, që do të mbahet njëkohësisht në disa shtete të Europës.