Blinken: Dialogu i lehtësuar nga BE, e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë

KOSOVA


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten në Vjenë, në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm austriak Alexander Schallenberg, se dialogu i lehtësuar nga BE-ja “është i vetmi mekanizëm i qëndrueshëm, e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara” për Kosovën dhe Serbinë.

“Na duhet të shohim mirëbesim, përpjekje konstruktive nga Kosova dhe Serbia për të stabilizuar marrëdhëniet dhe që të ndërmarrin masa drejt asaj rruge. Të mos ngrenë tensione, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë, t’i zbatojnë të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu”, tha ai.

Zoti Blinken i bëri komentet në kontekstin e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me Austrinë dhe vendet evropiane në përgjithësi, në drejtim të integrimit të Ballkanit Perëndimor, përparimi i të cilit tha ai ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Presidentin Biden dhe atë vetë, duke qenë se “kur fillova punën gjatë viteve ’90 një pjesë e madhe e vemendjes së botës ishte tek Ballkani, Bosnja, Kosova”.

“As neve, as Evropës dhe në veçanti njerëzve të Ballkanit Perëndimor, nuk i duhet një kthim prapa, duke e gjetur veten sërish në situatën e viteve ’90”, tha zoti Blinken.

Ai shprehu optimizimin se falë mbështetjes së vendeve si Austria, rajoni po ecën në rrugën e integrimit evropian.

“Ky është qëllimi i përbashkët për një rajon demokratik, të begatë dhe në paqe, të integruar me pjesën tjetër të Evropës”, tha Sekretari i Shtetit.

Zoti Blinken përshëndeti rekomandimin e Këshillit Evropian për të hapur negociatat me Bosnje-Hercegovinën dhe u bëri thirrje udhëheqësve të vendit që të tejkalojnë ndasitë dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme për të ecur përpara drejt BE-së.



Skip to toolbar