Protesta te “Unaza e Re”, Klevis Balliu dhe 7 protestues shoqërohen në polici

AKTUALITET


Policia e Tiranës shoqëroi në komisariat Klevis Balliun, pas përfundimit të protestës në zonën e “Astirit”. Ish-deputeti i PD-së dhe 7 protestues janë shoqëruar në komisariat, pasi bllokuan rrugën. Në fakt, bllokimi i rrugës nga tubime që nuk kanë lejen e orgeneve të rendit, cilësohet si vepër penale, sanksionuar nga ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Para se të shoqërohej në komisariat, Klevis Balliu se “Edi Rama po u mohon qytetarëve të protestojnë në liri”.

“Edi Rama tentoi që me bandat e tij të kthejë diktaturën, duke mohuar qytetarëve që të protestojnë në liri. Ata harrojnë se kjo tokë ka zot. Nuk do lejohet nipi i Spiro Kolekës që të zaptojë tokën e qytetarëve. Protestoj sa herë ka korrupsion dhe vjedhje. Edi Ramës dhe Bundestagu dhe Europa i kërkoi që të luftojë krimin e organizuar, por ai lufton popullin”, tha Balliu.  Ndërkohë, në protetstën e të dielës në mbrëmje, ishte dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili duke sulmuar prokurorinë, gjykatat dhe median, u shpreh se “nuk ka Kod Penal që ndalon protestën”.

Ndërkohë, banorët e zonës së Astirit, të shoqëruar dhe nga drejtues të Partisë Demokratike, vijuan protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në një prononcim për mediat, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji u shpreh se protesta e banorëve, sipas tij, është e ligjshme. “Policia ka vepruar në mënyrë brutale, duke tentuar që të imponohet një regjim policor. Protesta do të vazhdojë dhe ne do të jemi në mbështetje të tyre. Ne dimë se janë shoqëruar 6 persona bashkë me Klevis Balliun. Ne do të mbështesim banorët në këtë protestë dhe sigurisht që duam lirimin sa më të shpejtë të protestuesve”, tha Salianji.

Me ndryshimet e fundit të kryera në Kodin Penal, të cilat kanë hyrë në fuqi zyrtarisht, çdo person që bllokon rrugën fizikisht apo vendos pengesa, rrezikon deri në 3 vite burg. Sipas ndryshimeve, vënia e pengesave ose ndalimi i qarkullimit te mjeteve te transportit automobilistik, hekurudhor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Zbatimi i këtyre ndryshimeve, nisi pikërisht me disa banorë që protestojnë në Unazën e Re prej një viti.



Skip to toolbar