Shantazhonte ish të dashurën me video intime, i riu bie në ‘kurthin’ e policisë, e pëson edhe kushëriri i tij

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një person dhe ka arrestuar një tjetër pasi shantazhonin dhe kanosnin një vajzë për tu dhënë një shumë të konsiderueshme parash.


Burime nga policia thanë se në pranga ka rënë Afrim Kurti dhe u shpall në kërkim Dëfrim Kurti. Mësohet se të rinjtë janë kushërinj me njëri-tjetrin. Dëfrimi ishte i lidhur me një vajzë dhe i kishte marrë asaj aparatin e celularit dhe e kërcënonte se do i publikonte videot që ndodheshin në celular nëse ajo nuk i jepte paratë.

Me ndërmjetësimin e policisë vajza la një pikëtakim për të dorëzuar paratë. Sapo mbërriti te pika e takimit policia vuri në pranga Afrim Kurtin ndërsa kushëriri i tij u shpall në kërkim.

Dëfrim Kurti nuk është një emër i panjohur për policinë. Në 2019 ai u arrestua dhe më pas u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për vrasjen e shoferit të furgonit Arben Gjeci. Vrasja ndodhi sepse Gjeci kishte lidhje me bashkëshorten e Kurtit, Elida Cani. Pas hetimeve policia zbuloi se vrasjen e kishte kryer vëllai i Elidës, Esat Cani.


Ishte pezulluar nga detyra, kush është polici të cilit iu dogj makina në Elbasan

Gjatë natës të së enjtes në qytetin e Elbasanit u dogj mjeti i ish-inspektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e këtij qyteti, Edvin Gjyli. Mjeti ndodhej i parkuar në momentin që është përfshirë nga flakët. Ndërkohë, gazeta Panorama zbardh detaje në lidhje me ish-inspektorin e Policisë së Elbasanit. Edvin Gjyli nuk është një emër i panjohur në media. Ai u pezullua nga detyra, me akuzën se bashkë efektivë të tjerë nxorën sekretin hetimor të zbulimit të arsenalit të armëve në Papër të Elbasanit.


Një ditë pas zgjedhjeve lokale, që korrespondonte edhe me një atentat me armë zjarri ndaj dy vëllezërve në Elbasan, njëri prej të cilëve mbeti i vrarë, Policia zhvilloi një operacion, duke zbuluar një arsenal armësh. Një njësi e repartit special RENA dhe policia lokale në një magazinë në Papër të Elbasanit, gjeti dhe sekuestroi disa armë zjarri.

Burime të rezervuara nga Policia thanë aso kohe se u bllokuan 7 automatikë, 5 pistoleta, dylbi, fishekë dhe një automjet fuoristradë. Megjithatë, për këtë operacion nuk u dha asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit, që në rastin më të mirë mund të ishte ende në hetim e sipër për arrestimin e ndonjë të dyshuari.

Pasi lajmi u publikua në media, nisi ecuria disiplinore për 4 oficerë. Arsyetimi: Kanë dekonspiruar operacionin. Çështja nuk mbeti vetëm me kaq, pasi pas kesaj Ministria e Brendshme njoftoi se SHÇBA ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që kishte caktuar masat “Pezullim të ushtrimit të detyrës” për 4 punonjës Policie në nivel drejtues.

Konkretisht, Gjykata ka marrë këtë vendim për Bilal Semanajn, shef i Komisariatit të Cërrikut, Albion Xhitozin, shef i Krimeve në Komisariatin e Cërrikut, Edvin Gjylin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit dhe Eduart Hasanin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit.


Kalon vettingun kreu i monitorimit në SHÇBA

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi në detyrë Florian Sulejmanin, që mban postin e Drejtorit të Verifikimit të Pastërtisë së Figurës dhe Monitorimit të Brendshëm. Sulejmani nuk është gjetur me shkelje në asnjë nga kriteret e vlerësimit, figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale.


“Konfirmohet në detyrë drejtori i Drejtorisë së Verifikimit të Pastërtisë së Figurës dhe Monitorimit të Brendshëm, SHÇBA, Florian Sulejmani. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi sot në detyrë Florian Sulejmanin, Drejtor i Drejtorisë së Verifikimit të Pastërtisë së Figurës dhe Monitorimit të Brendshëm, SHÇBA”.

“Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 20 dhjetor, Sulejmani u përballë me gjetjet e Komisionit (KJV), lidhur me vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figures si dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës, bazohet në parimin e ligjshmërisë, të barazisë përpara ligjit dhe të proporcionalitetit, duke garantuar të drejtën e punonjësve për një proces të rregullt ligjor”, thuhet në njoftimin e KJV.


Vettingu në polici konfirmon në detyrë numrin dy të SHÇBA

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, konfirmoi në detyrë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të SHÇBA, Adriatik Ago. Numri dy i Shërbimit për Çështjet e Brendshme, rezultoi pa probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.


Adriatik Ago doli përpara Vettignut pesë ditë më parë. Ndërkohë, pasi shqyrtoi dokumentacionin e vetëdeklarimit të Adriatik Ago, trupa vlerësuese e përbrërë nga Ana Kapaj, relatore, Elvira Dabredaku, kryesuese e trupës, dhe Elida Liko anëtare, vendosi të konfirmonte në detyrë Adriatik Ago.

Sipas trupës gjykuese, zëvendësdrejtori i SHÇBA ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime që e justifikojnë atë. Gjithashtu, ai rezultoi pa probleme në lidhje me integritetin etik dhe profesional. Pesë ditë më parë, vettingu në polici nisi me shkarkime nga detyra.

Drejtori i Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Policisë së Tiranës, Oltion Shehu u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi iu gjetën shkelje në aspektin e pasurisë. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pasi shqyrtoi raportet vendosi që ta përjashtonte Shehun.


Vëllai plaçkiste gjermanët, polici nga Laç i shiste në Shqipëri

Dy vëllezër kishin ngritur një rrjet të vjedhjes së objekteve me vlerë dhe më pas shitjes në treg nga Gjermania drejt Shqipërisë. Njëri nga vëllezërit emigrant vidhte sende me vlerë të konsiderueshme si orë, bizhuteri, pajisje kuzhine, pajisje elektronike në Gjermani dhe më pas ia niste vëllait të tij që ishte polic në Laç për t’i shitur. Ky bashkëpunim u zbulua pas goditjes së bandës së hajdutëve në Gjermani, mes të cilëve ishte edhe vëllai i policit. Pas informacioneve të marra nga policia e Hamburgut, SHÇBA ka bërë menjëherë ndalimin e policit nga Laçi, i cili pasi i përdorte vetë mjetet e vjedhura, i shiste ato në treg.


Pas arrestimit punonjësi i policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani se i përdorte dhe më pasi i shiste ato. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën shumë nga sendet e vjedhura si orë, bizhuteri, pajisje të ndryshëm dhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.

Polici shqiptar përfundoi në pranga dhe do përballet me veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”, ndërsa i vëllai do vuaj dënimin e tij për vjedhje në Gjermani, ku dhe u arrestua.


Protesta te “Unaza e Re”, Klevis Balliu dhe 7 protestues shoqërohen në polici

Policia e Tiranës shoqëroi në komisariat Klevis Balliun, pas përfundimit të protestës në zonën e “Astirit”. Ish-deputeti i PD-së dhe 7 protestues janë shoqëruar në komisariat, pasi bllokuan rrugën. Në fakt, bllokimi i rrugës nga tubime që nuk kanë lejen e orgeneve të rendit, cilësohet si vepër penale, sanksionuar nga ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Para se të shoqërohej në komisariat, Klevis Balliu se “Edi Rama po u mohon qytetarëve të protestojnë në liri”.


“Edi Rama tentoi që me bandat e tij të kthejë diktaturën, duke mohuar qytetarëve që të protestojnë në liri. Ata harrojnë se kjo tokë ka zot. Nuk do lejohet nipi i Spiro Kolekës që të zaptojë tokën e qytetarëve. Protestoj sa herë ka korrupsion dhe vjedhje. Edi Ramës dhe Bundestagu dhe Europa i kërkoi që të luftojë krimin e organizuar, por ai lufton popullin”, tha Balliu.  Ndërkohë, në protetstën e të dielës në mbrëmje, ishte dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili duke sulmuar prokurorinë, gjykatat dhe median, u shpreh se “nuk ka Kod Penal që ndalon protestën”.

Ndërkohë, banorët e zonës së Astirit, të shoqëruar dhe nga drejtues të Partisë Demokratike, vijuan protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në një prononcim për mediat, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji u shpreh se protesta e banorëve, sipas tij, është e ligjshme. “Policia ka vepruar në mënyrë brutale, duke tentuar që të imponohet një regjim policor. Protesta do të vazhdojë dhe ne do të jemi në mbështetje të tyre. Ne dimë se janë shoqëruar 6 persona bashkë me Klevis Balliun. Ne do të mbështesim banorët në këtë protestë dhe sigurisht që duam lirimin sa më të shpejtë të protestuesve”, tha Salianji.

Me ndryshimet e fundit të kryera në Kodin Penal, të cilat kanë hyrë në fuqi zyrtarisht, çdo person që bllokon rrugën fizikisht apo vendos pengesa, rrezikon deri në 3 vite burg. Sipas ndryshimeve, vënia e pengesave ose ndalimi i qarkullimit te mjeteve te transportit automobilistik, hekurudhor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Zbatimi i këtyre ndryshimeve, nisi pikërisht me disa banorë që protestojnë në Unazën e Re prej një viti.


Transportonin gurë nga Tomorri, shoqërohen 12 shoferë në polici

Policia e Poliçanit ka shoqëruar në komisariat 12 shoferë kamionësh. Ata kanë qenë duke transportuar ngarkesa guri, në momentin që janë ndaluar dhe më pas shoqëruar në komisariat nga policia.


Ndalimi i tyre është bërë në fshatin Novaj, raporton News 24. Shoferët janë ndaluar rreth mesditës të së dielës.

Ndërkohë, në të gjitha rrugët hyrëse të Malit të Tomorrit janë ngritur patrulla policie, për të mos lejuar veprimtarinë e nxjerrjes të gurëve dekorativ.

Prej disa muajsh, është ndaluar shfrytëzimi i guroreve në Malin e Tomorrit, pasi qeveria i ka futur në zonën e mbrojtur duke zgjeruar hartën e Parkut Kombëtar të Tomorrit.

Megjithatë, VKM-ja është rrëzuar nga një vendim i Gjykatës Administrative, e cila u dha mundësinë shfrytëzuesve të guroreve për të rinisur aktivitetin.

Pavarësisht këtij vendimi, policia nuk ka lejuar shfrytëzimin e guroreve duke mbyllur rrugët hyrëse në Malin e Tomorrit.


Vrasja e kushërinjve në Laç, dorëzohen vetë në polici autorët e krimit

Janë dorëzuar në polici dy nga autorët e dyshuar për vrasjen e dy kushërinjve  Mikel dhe Jani Jushi në Laç.


Policia bën të ditur se dorëzimi i tyre erdhi si rezultat i negociatave të policisë me familjarët e tyre. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë më parë në qytetin e Laçit. Të rinjtë u qëlluan me armë pas një sherri banal në një lokal.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë ju informojmë se:

Si rezultat i punës hetimore të kryer nga  grupi i  posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi  dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë.

Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin,  pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici.

Grupi i posaçëm hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentin  e plotë të kësaj ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.


Sërish tension te Bregu i Lumit, banorët përplasen me policinë

Mediat televizive dhe Partia Demokratike njofton se kanë nisur sërish përplasjet tek Bregu i Lumit, mes banorëve të zonës dhe policisë.


Fadromat kanë nisur të shembin shtëpitë në mënyrë që të hapet rruga për zgjatimin e mëtejshëm të bulevardit të ri të Tiranës. Por banorët e zonës janë ngritur në protestë duke kundërshtuar shembjen e shtëpive.

Madje PD njofton se forca të shumta të policisë i kanë konfiskuar banorëve telefonat me të cilët filmonin ngjarjen.

Për të ndërtuar bulevardin do të shemben 38 banesa, por Bashkia e Tiranës ka siguruar strehim social për këto familje.