Bllokuan rrugën, ndalohen 3 protestues të Unazës së Re, 4 në kërkim

AKTUALITET


Policia ka ndaluar disa persona që njihen si zërat më të fortë të protestës së Unazës së Re, të cilët prej gati 1 viti bllokonin rrugën në shenjë protestë kundër shembjes së banesave apo biznesve të tyre në këtë zonë, me qëllim zgjerimin e rrugës.

Mes të ndaluarve është edhe Ilir Katiraj i cili është shoqëruar edhe herë të tjera nga policia, për shkak se i gjuajti Ramës me këpucë në një dalje të tijën tek spitali i Traumës.


Është ndaluar gjithashtu nga policia edhe Gramoz Shehu dhe Skënder Doda, ndërsa janë shpallur në kërkim 4 persona të tjerë.

Në lidhje me këto shoqërime ka reaguar edhe Partia Demokratike e cila ka thënë se policia ka shoqëruar zërat më të fuqishëm të protestës.

“Banorët e Unazës se Re njoftuan se janë shoqëruar në polici disa nga zërat kryesore të protestës. Edhe në këto momente policia ështe atje, ndërsa gratë po mblidhen tek vendi i protestës”, njofton PD.

Shoqërimi i këtyre personave ka ardhur për shkak të bllokimit të rrugës tek Unaza e Re pranë zonës së Astirit, më datë 7 tetor, një ditë para se të miratoheshin ndryshimet në kodin penal.

Kodi Penal i Ndryshuar parashikon se kush bllokon rrugën nga 8 tetori dënohet me burg.




Skip to toolbar