Boçi në ‘Real Story’: Nëse unë fitoj do mbyll inceneratorin! Do bëj landfill!

Më të fundit


TIRANË– Nëse Luçiano Boçi do të vijë në krye të Bashkisë së Elbasanit atëherë, ai tregon se ka plan për të mbyllur innceneratorin e Elbasanit. I ftuar në ‘Real Story’ në Report Tv me gazetarin Sokol Balla, Boçi thotë se do të ndërtojë një landfill me një kosto që nuk shkon më shumë se 2 mln euro e ku do të bëhet landfilli i mbeturinave vetëm të Elbasanit, jo të të gjitha Bashkive të qarkut.

“Do e mbyllja inceneratorin, por ligjërisht do e në shkallët ligjore, vendimi kryesor i përket Këshillit Bashkiak, por vendimi më kryesor i takon qytetarëve të Elbasanit. (…) Si mund të dalim nga kjo? Elbasani mbledh plehrat e të gjithë qarkut, boll ka qenë i kontaminuar nga Metalurgjiku që ka sjellë pasoja dhe të ndërtohej një impiant i djegies së plehrave mbi një damkë, plehra mbi plehra. Direktivat e BE orientojnë landifillimit, lidhet me ndarjen në burimin, seleksionimin dhe landfillimin. 70 mijë ton plehra ka Elbasani, të bëhet një landfill me një kosto 2 mln euro larg zonave të banuara, t’i grumbullojë në modelin e landfillit të Bushatit”, tha Boçi.

Në këtë garë, ai vjen si kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” që udhëhiqet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, mirëpo refuzon që të quhet se është kandidat “i njërit, apo i tjetrit”. Boçi shprehet se nuk është kandidat i sjellë nga Tirana, por i Elbasanit.

“S’mund të më thuash që jam përfaqësues i dikujt apo i dikujt tjetër, unë jam përfaqësues i Elbasanit”, tha ai.

Si një kandidat me një background politik, nuk la pa komentuar as zhvillimet politike brenda PD-së, sipas së cilit ndarja në 2 kampe nuk është një dramë, por si proces politik që ndodh në një opozitë.

“Përçarja? Janë procese politike që ndodhin në një forcë politike, normal ka mendime ndryshme, nuk është dramë, në opozitë kundërshtitë janë më të fortë”, theksoi Boçi.

Etiketimeve që i kanë ardhur nga Rama si “Boçja që nuk çel në Elbasan” apo “Luluçi”, ai i sheh si një degradim politik të kryeministrit, për të cilin thotë se ndjen dhembshuri.

“Më është dhimbur atëherë dhe sot tek dëgjoj këtë ligjërim politikë aq më tepër me gratë e Elbasanit, kur bën këtë teatër absurd, kuptohet që është kap nga një hall i madh, më dhimbset se është degraduar politikisht”, tha Boçi.

Ai ka sqaruar edhe një prej pikave të programit të tij, që është ndërtimi i një “shesh xhirimi”, që Rama e ka sulmuar jo pak.

“Përmendi 400 mln, e ka kompleks nga inceneratorët, kurrë në ligjërimin tim politik nuk kam përmendur që paska një investitor që do sjellë 400 mln, personi në fjalë është përfaqësues i Feder Company, nënshkrimi ynë ka të bërë me krijimin e një marke të mbrojtur “Made In Elbasan”, si vaji i ullirit, nuk është investitor, është gënjeshtër e madhe, është përfaqësues i një kompanie ndërkombëtare, është një marrëveshje paraprake.   Qyteti i filmit, ka parkun e lojërave, ai nuk e përmend, se po të luash me këtë, opinioni do thotë po tallet me fëmijët tanë se ne duam të bëjmë parkun e lojërave. Një mini studio, janë studio të ndryshme që mund të përdoren për shumë funksione, janë multi funksionale, nëpërmjet politikës së taksave dhe aktiviteteve, është një ide inovative”, shtoi ai.

Në këtë garë për Elbasanit, Boçi është përballë kandidati socialist Gledjan Llatja, e ndërsa PD-ja e Enkelejd Alibeaj nuk ka nxjerrë një emër për në 14 maj. 



Skip to toolbar