Borrell: Ballkani Perëndimor ka mundësi historike për të lidhur të ardhmen me BE

AKTUALITET


Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, në 20-vjetorin e valës më të madhe të zgjerimit të BE-së, tha sot se puna për ribashkimin e kontinentit nuk është e plotë.

Në një deklaratë, Borrell ka thënë se Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian.

“Njëzet vjet më parë, familja evropiane përqafoi dhjetë shtete të reja anëtare, një hap i guximshëm që ribashkoi më tej Evropën, pas dekadash ndarjesh pas Luftës së Dytë Botërore.

Ishte vala më e madhe e zgjerimit të BE-së. Ishte një ribashkim i një kontinenti që përpiqej për lirinë e të gjithë njerëzve, paqen, stabilitetin dhe prosperitetin.

Megjithatë, puna jonë për ribashkimin e kontinentit nuk është e plotë. E dinim përpara vitit 2022 dhe e dimë edhe më shumë sot, me luftën agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

Vitet e kaluara miliona evropianë treguan vullnetin dhe shpresën e tyre për t’iu bashkuar projektit të BE-së. Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian.

Zgjerimi i BE-së është një politikë transformuese që rrit sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë duke rritur standardet e jetesës së evropianëve”, thuhet në deklaratë.

Më tej Borrell shprehet se nga shtetet e ardhshme  që aspirojnë të jenë anëtare kërkohet të forcojnë institucionet e tyre demokratike dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.



Skip to toolbar