Borrell: Takimet me Kurtin dhe Vuçiç në Munih, të pasuksesshme

KOSOVA


Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka pasur takime “të pasuksesshme” me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, sa i përket shtensionimit të situatës mes dy shteteve.

Në një artikull të publikuar pas mbajtjes së Konferencës së Sigurisë në Munih lidhur me agjendën gjeopolitike të BE-së, Borrell përmendi edhe takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 16 shkurt dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


“Me presidentin e Serbisë Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, diskutova, në takime të ndara, se si të shtensionohet situata mes dy shteteve, por fatkeqësisht pa sukses”, tha Borrell.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur pasi që nga 1 shkurti ka nisur të zbatohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar dinarin serb.

Bashkimi Evropian po kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut, por Kosova ka thënë se rregullorja e BQK-së nuk është temë e dialogut.

Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, pasi ka argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Pas takimit në Munih, nga Zyra e Kurtit tha se me Borrellin dhe me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak, është biseduar për deklaratat e zyrtarëve serbë sa i përket Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, tha Kurti, sipas njoftimit.

Bashkimi Evropian ka thënë se Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që është arritur vitin e kaluar, nuk ka nisur së zbatohet.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.




Skip to toolbar