Botërori, Amerika (dhe Ezmeri Blu)

Ditari i Botërorit


Nga Sokol Balla – Houston

Nuk është hera e parë që gjendem në Amerikë kur luhet një botëror. Në verën e nxehtë të korrikut 1994, grup gazetarësh dhe studentësh të gazetarisë, mbështetur edhe nga fondacioni Soros (por jo vetëm, për shembull unë dhe Andi Bejtja u mbështetëm nga fondacioni Ford), u shpërndamë nga Los Angeles e deri në Maine, në specializime në gazeta të ndryshme amerikane. Por e vetmja ndeshje ku mbaj mend që shkuam ishte ajo e bejsbollit të skuadrës Red Sox. Copley Square u mbush me bostonianët e çmendur pas lojës së tyre të preferuar, ndërsa ne, dy shqiptarë, shihnim këtë lojë që nuk e kuptonim, me të njëjtën indiferencë që do të shihnim edhe baletin Liqeni i Mjelmave. E vetmja shenjë e Botërorit: logo në disa flamuj në llampat e ndriçimit.

Fiks 32 vjet më vonë, në rrugët e Houston, hub-it të madh teknologjik të Teksasit, asgjë nuk ka ndryshuar. Qyteti jeton akoma nën dehjen e suksesit të rikthimit në Hënë, pasi misioni Artemis 2 u drejtua pikërisht nga Johnson NASA Space Center, jo shumë larg qendrës së qytetit. Nga kjo qendër u drejtua dhe misioni i parë i Neil Armstrong në korrik 1969 dhe në sallën e kontrollit këtu u dëgjuan fjalët: “Një hap i vogël për mua, por një kapërcim gjigand për njerëzimin”. Po këtu u dëgjuan fjalët e kapitenit të Apollo 13: “Houston, kemi një problem”, kur anija e tyre, para se të zbriste në Hënë, përjetoi një shpërthim të vogël dhe humbje karburanti dhe oksigjeni. Ashtu si në 1994, e vetmja shenjë e Botërorit janë pllakatet e vogla në shtyllat e ndriçimit. Si dhe dhuratat që shpërndan sponsori kryesor i Kupës së Botës: McDonald’s. Jemi në mbretërinë e junk food. Disa nga tifozët e Gjermanisë, e cila luan këtu ndeshjen e saj të parë me debutuesit e Curaçaos, postojnë të lumtur qindra opsione picash, hotdog-ësh, sanduiçesh, hamburgerësh gjigandë, numër që duket më i lartë sesa ai i tifozëve të ekipit modest kundërshtar.

Sigurisht Houston nuk ka “problem” me futbollin. Problemi është që këtu futbolli quhet “soccer”. Por amerikanët thonë që nuk është faji i tyre. Edhe këtë fjalë, ashtu si futbollin, e shpikën anglezët. Por më parë kishin shpikur rugby-në. Të dyja lojëra që luheshin me top dhe me këmbë (foot-ball). Ndaj, për të dalluar dy lojërat, anglezët u vunë nga një shtesë dalluese: rugby football dhe association football. Fjala association u shkurtua në “socc” dhe, ashtu si vetëm amerikanët dinë të vendosin nofka, fjala u shndërrua në “soccer”. Futboll u quajt vetëm një tjetër lojë me top dhe këmbë. Por për ta dalluar nga rugby, nga “soccer” dhe futbolli, ajo lojë njihet si American Football. Presidenti Trump bëri përpjekjen e parë serioze që të përdorte fjalën futboll në vend të “soccer”, kur takoi presidentin e FIFA-s, Infantino. Por si çdo veprim i tij, edhe kur është korrekt, edhe kjo përpjekje për ta bërë futbollin një fjalë “amerikane” u prit në mënyrë jopopullore. Jo popullore siç është edhe FIFA, e cila kësaj radhe metodën e shitjes së biletave në tregun e zi e legalizoi: e quajti “rishitje” dhe e futi në platformën e saj. Me një kleçkë: edhe ajo merr vetë 15 për qind të çmimit të ri. Çmim që për ndeshjen finale në Nju Xhersi më 19 korrik shkon deri në 1 milion dollarë. Kjo është Amerika. Këtu vendos gjithçka tregu dhe paraja. Ndaj dhe “soccer” këtu nuk është vetëm një problem gjuhësor. Është një betejë e humbur, në një shoqëri maestrale konsumi, ku deri edhe lobimi nuk quhet korrupsion, por normalitet.

Këtë e pranonte dhe vetë Sali Berisha ditën e premte, kur i lumtur dilte para gazetarëve në Tiranë, duke pranuar se vizën e tij amerikane e kishte marrë me lobim (pra me para). Kjo në kohën kur thuajse çdo dy javë, grupe trafikantësh vizash amerikane hetohen dhe arrestohen nga SPAK. Por SPAK nuk heton milionat e vizës së Berishës. Sepse është vizë dhe jo heqje “non grata”. Nuk është se ndryshon diçka në ciklin 35-vjeçar të një politikani, që ka ditur me mjeshtëri të shesë humbjet si fitore dhe krimet si gabime. Lobimet nuk ndryshojnë fatin e Shqipërisë, por vetëm të individëve të veçantë. Të Doktorit patjetër, megjithëse kjo vizë nuk e ringjall. Thjesht i qetëson sedrën e lënduar nga amerikanët, betejat me të cilat i ka të shumta, por që jo rrallë i ka përfunduar edhe me fitore. Si e Pirros. Apo e Pirrove, që mban vërdallë. Njëri prej këtyre, i quajtur nga Doktori me termin tropical “Ezmeri”, ishte kaq i lumtur, sa kishte bërë një hartim të gjatë online. Mesa duket, Ezmeri është ai që ka çuar paratë në drejtimin e duhur. Ezmeri është i vetmi deputet i PD që është bërë milioner në opozitë. SPAK nuk e heton, por Ezmeri merret me punë të mëdha, si viza e doktorit, pasi nuk ka sukses tjetër në jetë, veç faktit që ka kthyer demokrate vjehrrën e tij ish-deputete socialiste. Ezmeri dhe familja e tij natyrale dhe ajo e martesës i kishin punët mirë me qeverinë socialiste dhe mirëqenia erdhi e u rrit. Ai mbolli dhe flokët, por ndryshe nga Salianji, jo duke kaluar nga infermieria e burgut, por nga zyrat e ministrive të Ramës. Dhe ja ku e ke sot, që shkëlqen si Garincha nën diellin e Meksikës. Që tani i duket vetja kryetari i ardhshëm i PD. Dikush më kot i kujton humbjet seriale. (Përse kryetari aktual a nuk është humbës serial? Rëndësi ka që tani do të ketë vizë amerikane.)

Pra Amerika është e rëndësishme për të gjithë, nga Ezmeri e deri tek futbolli. Është një treg i madh, që përfshin gjithçka. Edhe rregullat. Këtu rregulli kryesor është dollari. Me krenari ky flamur do të lëkundet pak ditë më vonë. Jo për finalen e Botërorit, po për 250-vjetorin e pavarësisë. Një pavarësi që sot ruhet nga dollari, nafta dhe superushtria më e fortë e botës. Por botërori nuk i shpëton dot konflikteve mes të cilave gjenden amerikanët. Sot presidenti Trump deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Teheranin, por dy ekipet kombëtare të futbollit vërtet stërviten vetëm 150 kilometra larg njëri-tjetrit, por me kufi në mes. Irani lejohet vetëm ditën e ndeshjes të vijë në Amerikë dhe menjëherë më pas përcillet me shpejtësi në Meksikë. Amerika bën rregullat. Rregullat i bën më i forti. Dhe Amerika është më e forta. Edhe nëse humb një ndeshje futbolli në 90 minuta.

Por sigurisht armiqësitë e saj vijnë me kosto, njëra prej tyre: fake news. Nga “blerja” e Sazanit nga Ivanka e deri tek “dhunimi” i lojtarëve të Botërorit nga kontrollet në aeroportet amerikane. Video që bëhen virale në pak minuta. Por në fakt nuk është kështu. Trajneri i Uzbekistanit, kampioni i botës Fabio Cannavaro, u desh të bënte një sqarim të gjatë pas një videoje ku ai shihej të kontrollohej në aeroport. Në fakt, të vetmit njerëz që nuk kontrollohen në aeroporte janë mbreti i Anglisë, Papa dhe presidenti amerikan. Por jo, fjala Trump duhet patjetër të njolloset. Mijëra postime se në aeroporte po kthehen tifozë e gjyqtarë. Pak thuhet se gjyqtari somalez kishte lidhje qoftë dhe gjaku me elementë të një fraksioni të Al Qaeda në Afrikë. UEFA, në shenjë hakmarrjeje, i dha atij drejtimin e finales së Superkupës. Por Europa nuk e ka provuar 11 Shtatorin. Amerika po. Kjo është kosto specifike që ajo i paguan madhështisë së saj. Dhe nëse e sjell Botërorin këtu, edhe futbolli do të paguajë ca qindarka nga kjo faturë.

Gjithsesi, gjëja pozitive është se këtu futbolli quhet “soccer” dhe nuk ka as rëndësinë e një ndeshjeje basketbolli. Këtu të gjithë po presin finalen e pestë të NBA dhe Knicks-at mund të bëjnë historinë. Nju Jorku ka ethet e një triumfi që nuk ndodh prej vitit 1973 dhe bashkia sheh me bezdi përplasjen e mundshme të tifozëve të kësaj ndeshjeje dhe atyre francezë më 16 qershor, nëse Knicks-at do të kenë nevojë për ndeshjen e shtatë për të fituar një titull që, për herë të fundit, e morën një vit pas misionit të fundit në Hënë: Apollo 17, në 1972. Edhe tani, ndeshja e pestë vjen pas misionit Artemis në Hënë. Për futbollin ka boll meksikanë, salvadorenë dhe emigrantë nga lindja që mund të festojnë. Nju Jorku ka bashkiakun e saj të parë që u betua mbi Kur’an dhe është tifoz i Arsenalit, por për të parë një ndeshje futbolli i duhet të shkojë në Brooklyn, te pub-et e emigrantëve europianë.



Skip to toolbar