Botërori: Fake News dhe real story

Ditari i Botërorit


Nga Sokol Balla

Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës, i vuri pikën, por jo të fundit spektaklit 39 ditor, që nisi në Meksikë dhe përfundoi në New Jersey. Ishte një eveniment realisht global dhe përfshiu jo vetëm futbollin, jo vetëm politikën, por edhe historinë, diplomacinë si dhe debatin po aq global mes Fake News dhe real story.

A ishte ky organizim i komplikuar dhe i pazakontë?? Sigurisht, sa kohë bëhej në tre vende jo vetëm me raporte të komplikuara me njëra tjetrën prej 20 janarit të vitit të kaluar, por edhe sepse zemra e botërorit rrihte në Amerikë. Trump u kthye në personazh të evenimentit, por nga ana tjetër i bëri një “nder” opinionit botëror, që edhe pa ndërhyrjet e presidentit amerikan, e kishte formuar një opinion të caktuar për FIFA-n dhe Infantinon.  Dhe kjo ishte një e Vërtetë e madhe dhe e hidhur e këtij Botërori, që mbylli me fishekzjarre “bluceleste” fitoren e “La Rioja”. A ka shenjë më të dukshme se kjo e prirjes që kishte FIFA t’ja jepte Botërorin sërish Argjentinës? Arsyet mund të jenë shumë, por si dëshmitar okular i evenimentit në të treja vendet, mund të them pa frikë se kryesorja ishte komerciale. Adidas dhe FIFA kanë një marrëveshje të vjetër dhe të konsoliduar dhe kjo shpjegon faktin se shumë nga vendimet e debatueshme të arbitrave të veshur me tre vijat, u morën përballë skuadrave të veshura me Puma apo me Nike (të tjerat nuk po i fus në llogari, por dhe ato do konsolidonin rekordin negativ të këtij algoritmi).

Sërish me cilësinë e dëshmitarit okular, fanella blu e Leo Messit rezulton më e shitura dhe më popullorja, edhe mes tifozerive të tjera, veçanërisht të Amerikës Latine, por edhe mes tifozëve të shumtë aziatikë, që mbushën rrugët e Amerikës. Dhe prania e Messit deri në fund të Botëorit, ishte padyshim suksesi më i madh komercial i tij. Kjo nuk është “fake news”, por real story!

Por ndërkohë Kupa e Botës u parapri nga shumë publikime video në rrjetet sociale, të cilat krijuan idenë se kufijtë e Amerikës ishin të mbyllura dhe se ishin kthyer shumë tifozë, lojtarë, e zyrtarë. Arsyet që përdoreshin nga viktimat, ishin të lidhura kryesisht me Izraelin dhe Palestinën (shto këtu edhe Iranin, muajt e fundit). Por a është kjo, një situatë reale? Një ish lojtar i Spanjës kampione në 2010, u ndalua të vinte në Amerikë. “Esta” e tij ishte refuzuar dhe ish lojtari e lidhi këtë, me një ndeshje që kishte zhvilluar në Iran dhjetë vjet më parë. Që Amerika e Trump ka një politikë të re emigracioni, ky nuk është më lajm, por sa preku kjo tifozët, ose më saktë ai preku kjo politikë e re, në mënyrë të ndjeshme, dëshirën e tifozëve për të ndjekur Kupën e Botës në Amerikë? Shifra zyrtare e pjesëmarrjes kaloi mbi 6 milionë e gjysmë tifozë në stadiumet e mbushura thuajse “full house”, edhe kur luante Haiti. Nga përvoja personale e kalimit të kufirit amerikan, meksikan dhe kanadez, rezultati është thjeshtësisht i intepretueshëm: për të hyrë në SHBA tre herë gjatë dy javëve, nuk m’u deshën në rastin më të gjatë, më shumë se 40 sekonda. Në Meksikë 4 minuta, ndërsa në Kanada, 40 minuta. Kjo sepse kanadezët ishin më të rreptë se të gjithë, sidomos ndaj fluturimeve që vinin nga Amerika. A ka kjo një shpjegim? Ndoshta. Por lajmet se Amerika kishte mbyllur kufijtë, ishin kryesisht Fake News. Sië ishin po ashtu histori false, gjoja kontrollet speciale, mbi Cannavaro, Neuer apo Messi. Përkundrazi, ishin kontrolle jashtë standardit normal të sigurisë. Delegacionet dhe skuadrat nuk kalonin në metal detektor, por u bëhej një kontroll formal në pistë dhe jo në terminal. Dhe mos harrojmë: as Kanadaja, as Meksika dhe as ne të tjerët, nuk kemi kaluar 11 shtatorin. Amerika po. Ndaj edhe kush vendosi të ndiqte Kupën e Botës atje, duhet ta kishte këtë parasysh. Pasi sot bota çerek shekulli pas asaj tragjedie, ende paguan kostot e saj. Amerika e para.

Mbi 5000 agjentë të FBI survejuan 79 ndeshjet, të cilat u quajtën nga kreu i saj Kash Patel, si “79 superbowl”. Dhe si person që kam ndjekur superbowl në Atlanta në 2019, e di se çfarë do të thotë të organizosh ngjarjen më të madhe sportive të vitit në Amerikë. Dhe me këtë lidhen edhe debate të tilla si: përse finalja nuk u mbajt në SoFi stadium në Los Angeles, por në MetLife Stadium në New York? E thjeshtë. Çështje organizimi, por më shumë sigurie. Në Los Anxheles mungojnë transportet me trena dhe metro, për në stadium. Ndërsa stadiumi i New Jersey ka një traditë të konsoliduar organizimi të ndeshjeve të mëdha. NJ Transit, linja që lidh New York me New Jersey, shërbeu si nyja e vetme e transportit për në stadium. Për të shkuar atje, duhet të kaloje dy kolona kontrolli në Penn Station në New York. I pari ishte ai i biletave të trenit. E vërtetë: bileta kthyese kushtonte 98 dollarë. Por një taksi vajtje-ardhje prej stadiumit shkonte minimalisht dyfishi i saj. E dyta linjë kontrolli, ishte ajo e biletave. Pra nëse nuk kishe një nga biletat, të ndeshjes apo të trenit, agjentët e sigurisë të kthenin prapsht. E tepruar. Jo. E nevojshme. Ju kujtoj edhe njëherë 11 shtatorin. Në këtë sens, organizimi ishte perfekt, pa asnjë incident serioz fizik, përjashto shpërthimet e Paredes pas finales. Po për Botërorin do flasim më vonë.

Tani dalim pak te tema e shitjes së biletave të ndeshjes.

Eshtë e vërtetë. Si një tifoz që ndiqja Botërorin tim të pestë, çmimet jo rrallë, jo vetëm ishin të shtrenjta, por edhe të pakuptimta. Dhe kjo nuk vlente vetëm për ndeshjet në Amerikë. Paradoksalisht çmimet më të larta ishin për ndeshjet në Kanada. Plus, sistemi i rishitjes së biletave, vërtet goditi tregun e zi të tyre, por jo perfundimisht. Tregu i zi funksionoi sërish. Vetëm se kësaj radhe FIFA vendosi të bëhej pjesë e tij, duke e legalizuar. Kujtoj që Kanadaja vendosi të lejonte rishitje me çmime të rritura, por Amerika nuk hoqi dorë nga tradita e saj, ku gjërat që nuk blihen me shumë para, blihen me më shumë para. Sa kohë kuptohet, kështu vendos tregu. Ju kujtoj sërish se në Amerikë, shpesh ajo që në Europë quhet korrupsion, këtu quhet lobim. Kjo bëri që biletat e finales në New Jersey shkuan deri në 1,6 milionë dollarë, ose sa kontrata e La Civita me Sali Berishën. Si në këtë rast të ngjashëm, limitet morale relativizohen, në përputhje me vendin, kohën dhe ngjarjen. Sigurisht edhe me personazhet. Pra, Amerika e Trump organizoi një Botëror perfekt, duke marrë në konsideratë se vendet ndryshojnë, dhe jo më kot, ato demokratike, zgjedhin si lider atë që i përfaqëson më mirë. Por mos harrojmë se Presidentin amerikan e zgjedhin amerikanët, dhe jo tifozët e Spanjës apo të Norvegjisë. Pyetja është: a organizoi FIFA një garë perfekte?

Kjo është një tjetër histori.

Suksesi më i madh i këtij Botërori ishte pjesëmarrja e 48 skuadrave. Nëse duan ta bëjnë me 64, aq më mirë. UEFA doli kundër, por mos harrojmë se organi Europian i futbollit, e ka kthyer në një shtëpi të mbyllur xhami futbollin europian, me evenimente me formula thuajse raciste, si Champions, Europa apo Nations League, ku skuadra dhe vende me futboll modest kombëtar, mund të ndeshen vetëm me skuadra të nivelit të ngjashëm. Kemi harruar kohët e arta kur në Tiranë, vinte Ajax, Bayern. Tani me Vllazninë, Egnatian, ndeshen Gjilani, shumë shumë Shkëndija e Tetovës. Klubit arrogant europian, FIFA i dha përgjigjen më të mirë: duke i hapur dyert, e duke premtuar t’i hapë edhe më. Me një “kleçkë”: në dyert e hapura u futën emra dhe figura gati groteske, sidomos te gjyqtarët. U desh ndeshja finale, që një gjyqtar europian, t’i kthente nderin e nëpërkëmbur Botërorit, pas ngjarjeve të shëmtuara, si kartoni i kuq i “anulluar” i Balogun, goli i anulluar Kroacisë dhe Egjiptit, gjithmonë në favor të një ekipi: Argjentinës.

Nuk dua të bëj insinuata, sepse kështu do rrëzoja thelbin e shkrimit tim, por e vetmja federatë që sot po hetohet për korrupsion nga FBI është pikërisht ajo argjentinase. E dyta e vënë në fokus është vetë FIFA. Por të vërtetat nuk janë gjithmonë bardhezi. E vërtetë: anullimi i kartonit të Balogun, u duk skandaloz, sidomos pas deklaratës së Presidentit amerikan për telefonaten e tij me Infantinion. Por kujtoj se katër vite më parë, pikërisht për t’i mundësuar Cristiano Ronaldos së skualifikuar, të luante ndeshjen e parë në Kupën e Botës, skualifikimi i tij u “shty” për pas Botërorit. Përse atëherë kjo nuk u quajt skandal? Apo pse nuk ishte i përfshirë emri i Trump? Në këtë rasti emri i Trump shërbeu për t‘i hequr maskën hipokrite FIFA-s. Por kjo nuk është njollë, por “meritë” e presidentit amerikan.

Sigurisht emri i Trump e bëri këtë Botëror amerikan, më politikun e ndoshta 48 viteve të fundit, që prej atij argjentinas në 1978, të mbajtur nën diktaturën e gjeneralëve. Në Botërorin e 1994, kupën e Botës e ndau zëvendespresidenti Al Gore. Bill Clinton nëse e pa finalen, nga Zyra Ovale. Kushedi, nën shoqërinë e Lewinski-t. FIFA, ishte për fat të keq elementi bashkues, që krijoi terrenin për teori konspirative, mes saj, Amerikës, Adidas dhe Izraelit, që bënin Argjentinën favorite per titullin. (Akoma organi botëror i futbollit nuk ka thënë nëse do marrë një masë ndëshkuese ndaj parrullës provokative të lojtarëve të Argjentinës për ishujt Falklands). Dhe një tjetër e vërtetë: shorteu favorizoi, skuadrën e Messi-t. Por në finale ajo u mund nga skuadra realisht më e mirë e kampionatit, që nxori jashtë loje Francën hënore. Dhe këtu s’hyjnë dot as fake news dhe as teoritë konspirative.

Ah se harrova: në finale u takuan shtrënguan duart, Trump me kryeministrin Pedro Sanchez. Me apo pa meritën e FIFA-s, por sigurisht për meritë të futbollit, Kupa e Botës i bashkoi njerëzit.

Dhe kjo ishte merita më e madhe e Botërorit të Njëzetetretë.

Në fund shpresa e atyre që shpresonin se Botërori do të shuante protestën e por Flamingove, rezultoi fake news. Por entuziastët e lëvizjes rozë me simbol shpendët simpatikë që janë symbol i Inter Miami ku luan Messi, besoj u zhgënjyen. Në përballjen mes dy evenimenteve, nuk pati viktima fatale, por ama pati një fitues:

Fan zona e sheshit “Skënderbej”.



Skip to toolbar