Zëvendës kryeministri, Erion Braçe tha të enjten në Kuvend se e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur dhe votuar nuk iu hoq as në ’96, jo më tani. Ai e cilësoi të paprecedentë vendimin e Metës ndërsa tha se pushtet pa zgjedhje nuk mund të ketë. Braçe gjithashtu theksoi se 30 qershori është rrugë e nisur tashmë dhe nuk ndryshon.
“Pushtet pa zgjedhje nuk ka. Nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë. E drejta për të zgjedhur me votë nuk mund të pezullohet dhe as të shfuqizohet nga kurrkush, pavarësisht nga fuqia e zyrës që ka. Krim më të madh kushtetues nuk ka. Deformim më të madh të demokracisë nuk ka tentuar të bëjë kush. Akti më i rëndë i zgjedhjeve është bërë në ’96, por e drejta e votuesve për të votuar nuk është pezulluar dhe as shfuqizuar atëherë.
Mendoni se çdo të ndodhë sikur kjo të përsëritet sërish në 2021. Precedenti i rëndë i presidentit nuk duhet legjitimuar.
30 qershori është rrugë e nisur kushtetutshmërisht nuk mund të ndalet”, tha Braçe në Kuvend.