Brexit, Britania shkon drejt zgjedhjeve në 12 dhjetor

AKTUALITET


Mbretëria e Bashkuar vendosi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbahen në datën 12 dhjetor. Parlamenti votoi me 438 vota pro dhe 20 kundër, për të zhvilluar zgjedhje përpara Krishtilindjeve, pas ngërçit të krijuar me Brexit.

Nëse Dhoma e Lordëve kalon projektligjin, parlamenti do të shpërndahet të mërkurën e ardhshme për t`i hapur rrugën një fushate të shkurtër prej pesë javësh të partive në Angli. Këto do të jenë zgjedhjet e para që prej vitit 1923 që do të zhvillohen në këtë muaj. Çështja Brexit pritet të jetë përsëri linja kryesore e “luftës” elektorale në javët e ardhshme në Angli.

Konservatorët do të synojnë të fitojnë mbështetjen e britanikëve për Brexit sipas kryeministrit Boris Johnson, ndërsa Laburistët pritet të premtojnë referendum të dytë duke i lënë njerëzit të vendosin për zgjidhjen e çështjen e BE-së.

Duke folur në Dhomën e Komunave, Boris Johnson tha se një parlament “i ri dhe i rigjallëruar” është i nevojshëm për të larguar Britaninë nga BE. Kujtojmë se kryeministri Johnson arriti një marrëveshje me BE për të dalë nga unioni në 31 tetor, por ajo dështoi duke kërkuar shtyrjen e Brexit.



Skip to toolbar