Johnson siguron mbështetësit: Javën tjetër nisim Brexit

Kryeministri britanik Boris Johnson vizitoi pjesën veriore të Anglisë të shtunën për takime me ligjvënësit e sapozgjedhur të Partisë Konvervatore, zonë që njihet edhe si zemra e klasës punëtore që i ktheu shpinën Partisë Laburiste duke kontribuar në fitoren e zotit Johnson.

Pas fitores historike, zoti Johnson është i vendosur që të fillojë javën që vjen procesin për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian deri në afatin e caktuar me 31 janar. Kryeministri Johnson shprehu mirënjohje për besimin që pjesa veriore e vendit i dha atij përmes votës.

“Dua që populli i pjesës Verilindore ta dijë që konservatorët e vlerësojnë besimin që na keni dhënë. Si kryeministër do të bëj gjithçka që të reflektojë besimin tuaj. …. A do të realizojmë Brexit-in? A e mbështesni këtë marrëveshje? “

Pasi të kapërcejë pengesën tre vjeçare në parlament, Kryeministri Johnson duhet të sigurojë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian deri nga fundi i vitit 2020.

Suksesi i zotit Johnson vjen pjesërisht si rezultat i ndryshimit të prirjeve të shtresës që zakonisht ka mbështetur Partinë Laburiste në pjesën veriore të Anglisë, duke votuar për Partinë Konservatore si rezultat i premtimeve për të arritur daljen nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi shërbyesit e popullit. Detyra jonë është t’u shërbejmë njerëzve të këtij vendi dhe të realizojmë përparësitë tona që përputhen me përparësitë që ka populli. Kjo është dalja nga Bashkimi Evropian. Do të realizojmë synimet tona për kujdesin shëndetësor, arsimin, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për vendin tonë.”

Gjatë referendumit të vitit 2016, shumë prej këtyre komuniteteve votuan për daljen nga Bashkimi Evropian si rezultat i shqetësimeve se ishin lënë pas dore nga qeveria qendrore dhe ndikimit të emigrantëve në vendet e punës./VOA/

Brexit, Britania shkon drejt zgjedhjeve në 12 dhjetor

Mbretëria e Bashkuar vendosi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbahen në datën 12 dhjetor. Parlamenti votoi me 438 vota pro dhe 20 kundër, për të zhvilluar zgjedhje përpara Krishtilindjeve, pas ngërçit të krijuar me Brexit.

Nëse Dhoma e Lordëve kalon projektligjin, parlamenti do të shpërndahet të mërkurën e ardhshme për t`i hapur rrugën një fushate të shkurtër prej pesë javësh të partive në Angli. Këto do të jenë zgjedhjet e para që prej vitit 1923 që do të zhvillohen në këtë muaj. Çështja Brexit pritet të jetë përsëri linja kryesore e “luftës” elektorale në javët e ardhshme në Angli.

Konservatorët do të synojnë të fitojnë mbështetjen e britanikëve për Brexit sipas kryeministrit Boris Johnson, ndërsa Laburistët pritet të premtojnë referendum të dytë duke i lënë njerëzit të vendosin për zgjidhjen e çështjen e BE-së.

Duke folur në Dhomën e Komunave, Boris Johnson tha se një parlament “i ri dhe i rigjallëruar” është i nevojshëm për të larguar Britaninë nga BE. Kujtojmë se kryeministri Johnson arriti një marrëveshje me BE për të dalë nga unioni në 31 tetor, por ajo dështoi duke kërkuar shtyrjen e Brexit.

BE ‘zgjat’ Brexit deri më 31 janar 2020

BE ra dakord t’i ofrojë Britanisë së Madhe një “shtyrje” të Brexit deri më 31 Janar 2020. Lajmi u dha nga Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, i cili theksoi se kjo shtyrje mund të ndihmojë kryeministrin Boris Johnson në përpjekjen e tij për mbajtjen e zgjedhje të reja më 12 dhjetor.

Pra Britani nuk del më 31 tetor, pasi kundërshtarët e Johnson nuk pranuan marrëveshjen e tij në parlament. Kjo bëri që ai të kërkonte një shtyrje nga BE, të cilët vendosën të japin një tjetër tolerancë për Britaninë.

“BE ka rënë dakord që do të pranojë kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar për një zgjatje Brexit deri më 31 janar 2020. Kjo është një zgjatje fleksibël që do të thotë se Britania mund të ikë më herët nëse parlamenti i saj mund të ratifikojë projekt-ligjin për divorc.” tha Tusk.

Parlamenti do votojë të hënën në mbrëmje nëse do t’i lejojë Johnson të mbajë zgjedhjet për të cilat ai thotë se është i domosdoshëm për të zgjidhur bllokimin e Brexitit. Pa një shumicë në parlament, Johnson ka nevojë për mbështetjen e partive opozitare.

Partia e Laburistëve në Britani ka vendosur të mbështesë Johnson derisa Bashkimi Evropian të pranojë të zgjasë afatin e Brexit në Mbretërinë e Bashkuar deri më 31 janar 2020.

Johnson, letër BE-së për shtyrjen e Brexit

Kryeministri britanik Boris Johnson ka dërguar një letër në BE ku i kërkon vendeve anëtare të shtyjnë BREXIT, pasi parlamenti i vendit të tij nuk miratoi marrëveshjen e arritur. Me 322 vota pro dhe 306 kundër është rrëzuar marrëveshja e Johnson me BE duke e detyruar atë të kërkojë një tjetër shtyrje për daljen e Britanisë nga familja europiane, që ishte planifikuar më 31 tetorit.

Letra ka mbërritur në BE, ku Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk tha në Twitter: “Kërkesa për shtyrjen e Brexitit sapo ka mbërritur. Tani do të filloj të këshillohem me udhëheqësit e BE-së se si të reagojmë”.

Vetë Johnson nuk dëshironte një shtyrje tjetër të BREXIT duke e cilësuar si të dëmshme për vendin, BE por dhe demokracinë.  Por ai është i detyruar me ligjin e miratuar me nismën e opozitës të mos dalë nga unioni pa një marrëveshje.

BE dhe Britania diskutojë kushtet e “divorcit”

Bashkimi Europian ka thënë se do të vijojnë diskutimet me negociatorët britanikë me qëllim të finalizimit të Brexitit. BE i ka kërkuar Britanisë që të dorëzojë propozime të shkruara ku do të përfshihen të gjitha kushtet për situatat e ndjeshme pas largimit të saj.

BE ka thënë se është “thelbësore që të ketë zgjidhje ligjore dhe operacionale” në marrëveshjen për Brexit edhe në lidhje se si do sigurohet lëvizja pa probleme e mallrave në kufirin irlandez kur Irlanda Veriore të largohet nga BE-ja, bashkë me pjesën tjetër të Britanisë.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 % e votuesve kanë votuar pro Brexit në referendumin e mbajtur më 2016.

Merkel takon Johnson, për të shmangur katastrofën e Brexit

Anglea Merkel beson se “në 30 ditët e ardhshme”, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe mund të gjejnë një marrëveshje, për të shmangur një katastrofë, në rast se Boris Johnson do vendisë që Britania të dalë nga blloku pa një marrëveshje me Bashkimin Europian. Kancelaria gjermane ka shprehur optimizmin për ‘mundësinë’ e nje kompromisi për Brexit, gjatë takimit që pati me homologun e saj britanik, Boris Johnson në Berlin.

“E shkuara ishte një mundësi për të arritur gjetjen e zgjidhjes për këto probleme. U tha që me do të gjendjen një zgjidhje brenda dy viteve. Por ne gjithashtu mund të gjejmë një zgjidhje për 30 ditët e ardhshme, pse jo?”, ka  thënë Merkel për gazetarët, gjatë takimit që pati në Berlin me Boris Johnson.

Ndërkohë, kryeministri britanik është shprehur se Brexit do të ketë ‘pasoja të rënda’, por duhet të bëhet, pasi sipas Johnson, “sapo të shpëtojmë prej tij, ekziston perspektiva për një ringritje të shpejtë. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu”, ka thënë kryeministri i Britanisë së Madhe.

Angela Merkel ka mbajtur qëndrim me tone më të zbutura lidhur me vendimin e Anglisë për t`u shkëputur nga blloku, ndryshe nga Parisi dhe vende të tjera anëtare. Megjithatë, disa terma janë ende të paqartës, siç është rasti i marrëdhënieve mes Irlandës dhe Anglisë. Boris Johnson është shprehur se ‘nuk do të ketë kontrolle në kufi për shtetasit irlandez’, ndërsa ka shtuar se do të respektohen të gjitha ‘të drejtat e shtetasve të BE-së që jetojnë në Angli”.

Dokumentet sekrete, Anglia në prag të katastrofës

Dokumente sekrete të qeverisë britanike paralajmërojnë paralizim në gjithë vendin në rast se Britania largohet më 31 tetor nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje. Dokumentet u publikuan nga gazeta “The Sunday Times” dhe sipas burimeve qeveritare që nuk pranuan të identifikohen, ato janë dhënë shtypit nga një ish-ministër.

Britania pritet të përballet me probleme të mëdha nëse largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje tregtare, thuhet në disa dokumente të publikuar nga gazeta “The Sunday Times”.

Në në rast të tillë vendi do të përballej me ndërprerje të furnizimeve me ilaçe, ushqime e karburant, që mund të zgjasnin deri në gjashtë muaj.

“The Sunday Times” shkruan se “dosja ofron një vështrim të rrallë mbi një plan sekret të qeverisë për të shmangur një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit”.

Dokumentet ku detajohet ndikimi negativ në vend në rast të një Brexit-i pa marrëveshje, janë nxjerrë nga një ish-ministër në një përpjekje për të ndikuar negociatat e qeverisë me Bashkimin Evropian, tha një burim qeveritar të dielën.

Sipas të njëjtit burim “dokumenti i përket kohës kur ministrat po bllokonin atë që duhej bërë për t’u përgatitur për largimin dhe fondet nuk ishin në dispozicion”, siç tha ai.

Megjithëse skenarët e zymtë, që përshkruhen në dokumentet që kanë rrjedhur prej qeverisë, janë diskutuar prej kohësh nga akademikët dhe ekonomistët, ato janë hedhur poshtë si përhapëse të paniku nga përkrahësit e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor pa një marrëveshje edhe nëse nuk do të mundet të rinegociojë marrëveshjen e paraardhëses së tij Theresa May me bllokun.

Megjithatë zyrtarët e kanë paralajmëruar kryeministrin Boris Johnson se dalja pa marrëveshje nga Brexit, do të vendoste në rrezik bashkëpunimin për ndarjen e informacionit që u nevojitet forcave të zbatimit të ligjit si dhe industrinë e shërbimeve financiare.

Dokumentet e publikuara nga “The Sunday Times” citojnë gjithashtu zyrtarët të paralajmërojnë se deri në 85 për qind e kamionëve nuk do të ishin gati për të kaluar doganat franceze në vendkalimin kritik, Kanalin e Lamanshit në 31 tetor, duke shkaktuar radhë që mund të zgjasnin me ditë. Rreth 75 për qind e të gjithë ilaçeve që vijnë në Britania arrijnë përmes këtij vendkalimi, thuhet në dokumente.

Zyrtarët parashikojnë prekje të “elementëve kritikë” të zinxhirit të furnizimit me ushqime “që do të krijonin mungesa në treg e do të rrisnin çmimin, me pasoja tek grupet më të prekshme”. “The Sunday Times” nuk e ka shpjeguar se si i mori dokumentet edhe qeveria nga ana tjetër nuk i është përgjigjur kërkesave për komente./VOA/

Boris Johnson krijon kabinetin e ri për “Brexit”

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka nisur mandatin e tij të mërkurën duke formuar kabinetin e ri qeveritar. Në mesin e emrave të parë të përmendur në kabinetin e tij ka qenë Sajid Javid, i cili është emëruar në pozitën e kancelarit britanik, i cili njihet si mbështetës i procesit të Brexitit, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Si ministër i Jashtëm është emëruar Dominic Raab, derisa këtë pozitë deri disa orë më parë e ka mbajtur Jeremy Hunt. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur pasi kryeministri i ri i ka ofruar një pozitë tjetër ministrore, që për të ka qenë e papranueshme.

Në mesin e emrave të rinj të kabinetit qeveritar është edhe Priti Patel, e cila është ngarkuar me pozitën e ministres së Brendshme në Britani. Një nga çështjet kyçe të kësaj qeverie konsiderohet finalizimi i procesit të Brexit-it, meqë Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti.

Kryeministri i ri britanik ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Megjithatë, në fjalimin e parë si kryeministër, Johnson thënë se dëshiron të hartojë një marrëveshje të re me BE-në, lidhur me Brexitin. Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL/

Brexit – BE “merr në mbrojtje” Irlandën

Bashkimi Europian “do të qëndrojë plotësisht pas Irlandës” pavaresisht se cfarë ndodh gjatë procesit të Brexit, deklaroi të hëhën Michel Barnier, negociuesi i BE-së për Brexit. Gjatë një konferencë në Dublin, Barnier pohoi se qëllim i BE është të “mbrojë Marrëveshjen e së Premtës së Madhe, paqen në këtë ishur dhe integritetin e tregut të vetëm”.

Barnier shkoi edhe më tej, duke sygjeruar një qasje “më ambicioze” për marrëdhëniet e ardhshme më Mbretërinë e Bashkuar, duke lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim doganor, por nga ana tjetër nuk do të ndodhtë të ketë bisedime mbi një marrëdhënie të ardhshme, tha ai “derisa të ketë një marrëveshje për Irlandën dhe Irlandën e Veriut”.

Ditë më parë BE-votoi një ligj që i garanton shtetasve të Britanisë së Madhe qarkullimin “visa free” në vendet e bllokut me kushtin që e njëjta qasje të zbatohet dhe nga Britania për shtetasit europianë.

Darka që do vendos për fatin e Brexit

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May është ende në pritje të një përgjigje nga BE në lidhjet me shtyrjen e Brexit për arritjen e një marrëveshje. Edhe pas takimeve individuale me Merkel dhe Macron, May ende nuk arriti të merrte një përgjigje në lidhje me të.

Udhëheqësit e BE po zhvillojnë një darkë në Bruksel ku do të diskutojnë dhe do të vendosin të ardhmen e saj.

Paaftësia e Britanisë së Madhe për të rënë dakord në nivel politik se si dëshiron të largohet nga BE ka shkaktuar që koha përfundimtare e Brexit, 12 prill, të shtyhej. May ka kërkuar 30 qershorin si afat përfundimtar, duke i lejuar Mbretërisë së Bashkuar pak më shumë kohë për t’u larguar me një marrëveshje.

Afati i fundit i Brexit, 12 prill, u vendos për shkak se është pika më e fundit në të cilën Mbretëria e Bashkuar duhet të deklarojë synimin e saj për të qëndruar në zgjedhjet parlamentare evropiane apo jo. Nëse Mbretëria e Bashkuar është ende një shtet anëtar i BE më 23 maj, atëherë ajo duhet të fusë kandidatët në atë sondazh dhe do të ketë të drejta të barabarta në çdo projekt të BE. Mirëpo kritikët e Brexit kanë thënë se nëse Britania e Madhe mbetet e mbërthyer në BE në këtë pikë, atëherë ajo do të “bëhet një kalë troje brenda BE-së”.

Skip to toolbar