Burgjet italiane të mbipopulluara, 50 të burgosur janë vetëvrarë këtë vit

BOTA


Në Itali këtë vit janë vetëvrarë 50 të burgosur, 16 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi Komisioneri italian për Ekzekutimin e Sanksioneve të Burgjeve, duke deklaruar se burgjet italiane janë të mbipopulluara.

“Ky është një numër i madh krahasuar me korrikun 2023 dhe 2022, kur janë regjistruar 34 vetëvrasje. Një rritje prej 16 vetëvrasjesh është shënuar këtë vit. 48 burra dhe dy gra janë vetëvrarë, 27 italianë dhe 23 të huaj nga 14 vende të ndryshme.

19 prej tyre (38 përqind) ishin në pritje të gjykimit. Mosha mesatare e 50 personave që kanë kryer vetëvrasje është rreth 39 vjeç”, thuhet ndër të tjera në raportin e Avokatit të Popullit, raporton ANSA.

Sakaq, në raport thuhet se të paktën pesë roje burgu kanë kryer vetëvrasje këtë vit. Qeveria e kryeministres, Meloni miratoi të mërkurën një dekret me një sërë masash që synojnë lehtësimin e mbipopullimit në burgje.

Në dekret thuhet se do të krijohet një listë e ambienteve të hapura të burgjeve që do të mund të strehojnë lloje të caktuara të burgosurish, si ata me dënime të shkurtra, të varur nga droga dhe të dënuar për disa krime jo të dhunshme.

Gjithashtu janë futur procedura të thjeshtuara për dhënien e lirimit me kusht, udhëzime të reja për rekrutimin, trajnimin e rojeve dhe drejtuesve të burgjeve, si dhe është planifikuar një rritje e numrit të telefonatave që lejohen të bëjnë të burgosurit.

Aktualisht në burgjet italiane vuajnë dënimin rreth 61 mijë të burgosur dhe kapaciteti zyrtar i institucioneve për zbatimin e sanksioneve me burg është 51 mijë./abcnews.al



Skip to toolbar