Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kritikuar politikën shqiptare që të ketë si objektiv parësor të saj integrimin e vendit dhe jo interesat e tyre politike. Për Bushatin në çështjen e integrimit duhen ndarë interesi kombëtar nga politika e ditës dhe kërkon një angazhim politik e shoqëror për të ecur drejt demokratizimit dhe modernizmit të vendit.
“Anëtarësimi në Europë është e vetmja shpresë për vendin tonë” tha Bushati, pasi për të kjo rrugë “do fuqizojë demokracinë, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”. Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare, “Dialogu i Dubrovnikut” në Catvat të Kroacisë, Bushati tha pavarësisht qëndrimeve skeptike të disa vendeve ndaj procesit të zgjerimit, kjo nuk duhet të frenojë dhe ngadalësojë motivimin e Shqipërisë për të ecur para me reformat transformuese.
“Teksa javës tjetër presim nga Vendet Anëtare të BE-së përcaktimin e datës për fillimin e bisedimeve të pranimit, në përputhje me Konkluzionet e BE-së të Qershorit 2018, është me rëndësi që qëndrimet skeptike e frenuese ndaj procesit të zgjerimit të mos ngadalësojnë motivin tonë për të vijuar me procesin e vështirë të reformave transformuese. Evropa, si projekt i shpresës është e vetmja rrugë për të fuqizuar demokracinë, për të projektuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror.
Kjo nuk është çështje kapitujsh e ligjesh në letër, por çështje e Shqipërisë së nesërme. Pavarësisht qëndrimit që mund të ketë sot Franca, nesër Holanda apo pasnesër një vend tjetër anëtar i BE, duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga jonë do të jetë e përpjetë. Ndaj, na duhet një Pakt për Evropën dhe angazhim i njëmendtë politik e shoqëror për të ndarë interesin e epërm kombëtar nga politika e ditës. Procesi i anëtarësimit në BE duhet të korrespondojë gjithnjë e më shumë me modernizimin, demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë së nesërme.”- tha Bushati