Përplasja me Ballën, Bushati: Valdrinin nuk e solla unë, nuk iki nga PS

POLITIKË


Deputeti socialist Ditmir Bushati ka reaguar pas deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm socialist, Taulant Balla, i cili thoshte se kandidaturën e Valdrin Pjetrit në Shkodër e propozoi ai. Bushati, përmes një interviste për Zërin e Amerikës, nuk pranoi të mbante këtë përgjegjësi duke u shprehur se “Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë”. Bushati ka refuzuar të ketë propozuar kandidaturën e Pjetrit, ndonëse ishte ai vetë që e ka promovuar Valdrinin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të, duke vepruar me një standard të dyfishtë. Përkundrazi, ashtu si në mbledhjen e kryesisë së PS, Bushati ja delegon sërish përgjegjësinë partisë së tij madje duke thënë edhe se “kjo parti ka nevojë për filtra të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë.”, ndërsa ka kërkuar edhe një reformim të brendshëm të partisë.

Është e rëndësishme fillimisht që të ndajmë përgjegjësinë ligjore e cila në çdo rast është individuale për çdo person që ka shkelur ligjin dhe çdo person duhet të përballet me drejtësinë, me përgjegjësinë politike që ne e kemi si politikan dhe si forcë politike. Përgjegjësia politike në këtë rast mund të ushtrohet përmes një reformë politike, që do të sillte në qendër të vendimmarrjeve tona, anëtarin e PS-së. Nga eksperienca ime politike dhe në drejtim të qarkut Shkodër, kam kuptuar që disa vendimmarrje është me rëndësi që t’ua besojmë komuniteteve. Është me rëndësi që t’ia besojmë bazës së partisë, në mënyrë që të sigurojmë që kemi zgjedhur personat e duhur dhe në mënyrë që gara që duhet të zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste në këtë rast, të sjellë jo vetëm ofertën më të mirë politikë, programatike, shoqëruar me një vizion përkatës, por t’i krijojë mundësi në radhë të parë anëtarësisë së PS-së dhe më pas komuniteteve lokale për të ushtruar një mbikëqyrje më të madhe në lidhje me integritetin e çdo kandidati që synon që të ketë një karrierë politike.” është shprehur Bushati, i cili shprehet se PS është një parti që ka kapacitete të mëdha për t’u vetëkorrigjuar dhe të jetë forcë e ndryshimit dhe rritjes së demokracisë së brendshme.


Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetëkorrigjuar. Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira.” tha Bushati.

Pavarësisht mohimit se ai ka propozuar kandidaturën e Pjetrit, i pyetur nga gazetari se në fakt ishte ai që e promovoi dhe kërkoi mbështetjen e tij nga shkodranët, Bushati tha se nuk e ka përjashtua veten nga përgjegjësi të tilla dhe është pikërisht ky rast që e shtyn atë të mendoj se PS ka nevojë për një mentalitet të ri, më perëndimor.

Natyrisht, nuk kam përjashtuar asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla, edhe kur kam thënë që, ne nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimmarrje të gabuara dhe kur kam deklaruar që askush prej socialisteve e progresisteve shqiptarë nuk ka pse të ndjehet i ligështuar prej vendimmarrjeve të gabuara nga ana jonë. Por, pikërisht eksperienca e Shkodrës, më shtyn të mendoj që ne duhet të fillojmë të veprojmë seriozisht me një mentalitet të ri perëndimor, 30 vjet pas shembjes së regjimit komunist, duke krijuar garë të vërtetë brenda nesh, duke krijuar rregulla loje që duhet të respektuar brenda nesh, një sistem merite dhe vlere, modele frymëzuese.”- tha Bushati.

Në lidhje me lajmet se nëse ai do të largohej nga PS për t’ju bashkua Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, Bushati i hodhi kategorikisht poshtë këto zëra duke thënë se nuk as asnjë arsye apo ambicie për të lëvizur nga PS dhe se këto lajme janë të rreme dhe nuk ka në plan të krijojë një matrice neo-jugosllave.

Kjo është një tollovi treditore e krijuar kryesisht nga teknologët politikë dhe distributorët e lajmeve të rreme. Unë besoj që ne nuk e kemi luksin të jemi një matricë neo-jugosllave. Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend. Jam mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar në të gjitha funksionet e mia, si Ministër i Jashtëm por edhe në funksionet politike, nga kolegët, nga anëtarësia e Partisë Socialiste dhe sot më shumë se kurrë mendoj që ne kemi nevojë për të hedhur një tjetër hap drejt demokratizimit të mëtejshëm të PS-së, për të dëshmuar që jemi në gjendje për tu vetë-korrigjuar.” u shpreh Bushati.

Lexoni këtu intervistën e plotë




Skip to toolbar