Bushati: Nuk iki nga PS, qëndrimet për vetëkorrigjim

POLITIKË


Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka përsëritur qëndrimin se nuk do të largohet nga Partia Socialiste, por kërkon që Partia Socialiste të vetëkorrigjohet. Ai deklaron se fakti që ka artikuluar disa qëndrime që mund të perceptohen të ndryshme me qëndrimet e udhëheqjes së Partisë Socialiste nuk do të thotë që ka një projekt tjetër përveçse kontributit brenda Partisë Socialiste.

Në një intervistë për “Deutche Welle” ai kërkon nga forca politike ku bën pjesë një vetëkorrigjim, pasi sipas tij është një proces fiziologjik i domosdoshëm, sidomos kur je në vitin e shtatë të qeverisjes sepse vetëkorrigjimi, vijon më tej Bushati, do të parandalonte një lloj vetëshkatërrimi.


“Unë jam anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, deputet. Sot mendoj më shumë se asnjëherë tjetër se është përgjegjësia ime për të vazhduar për të kontribuar për projektin e Partisë Socialiste, sepse është një familje e madhe politike e socialistëve dhe e progresistëve shqiptarë. Fakti që sot për sot kam artikuluar jo vetëm brenda strukturave të Partisë por edhe publikisht disa qëndrime që mund të përceptohen si disi të ndryshme me qëndrimet e udhëheqjes së Partisë Socialiste nuk do të thotë që kam një projekt tjetër përveçse kontributit brenda Partisë Socialiste. Unë besoj se vetëkorrigjimi është një proces fiziologjik i domosdoshëm për çdo forcë politike, sidomos kur je në vitin e shtatë të qeverisjes sepse vetëkorrigjimi do të parandalonte një lloj vetëshkatërrimi. Dhe vetëkorrigjimi nga ana tjetër do të krijonte mundësinë për të rikthyer shpresën që është topitur në disa raste e mund të jetë vrarë në raste të tjera. Në radhë të parë, për ata njerëz që na kanë besuar në projektin tonë që në 2013-ën, pa përmendur këtu edhe të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Bushati.

Duke u ndaluar te procesi i negociatave dhe kriza politike në vend ai ka një këshillë. “Na duhet që përmes këtij Pakti Kombëtar për Europën që shkon përtej partive politike, ne të kemi mundësi që të përcaktojmë objektivat, strategjinë, burimet njerëzore, përfshirë shqiptarët e diasporës, burimet financiare të paktën për dekadën e ardhshme për këtë proces”. 

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në fund të gushtit u shpreh në mbledhjen e kryesisë së PS se partia duhet të kërkojë falje për kandidimin e Valdrin Pjetrit, ndërsa doli edhe kundër shkarkimeve masive në Shkodër.

Më herët, deputeti Bushati ka refuzuar të ketë propozuar kandidaturën e Pjetrit, ndonëse ishte ai vetë që e ka promovuar Valdrinin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të, duke vepruar me një standard të dyfishtë. Përkundrazi, ashtu si në mbledhjen e kryesisë së PS, Bushati ia delegon sërish përgjegjësinë partisë së tij madje duke thënë edhe se “kjo parti ka nevojë për filtra të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë.”, ndërsa ka kërkuar edhe një reformim të brendshëm të partisë.




Skip to toolbar