Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane, Michael Roth.
Biseda u përqendrua në punën e bërë prej Shqipërisë drejt mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, duke përfshirë diskutime të hollësishme mbi procesin e reformës zgjedhore, luftën kundër krimit e korrupsionit, plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, si dhe ngritjen e SPAK dhe BKH.
“Ekziston një fakt i njohur nga të gjithë: Shqipëria ka bërë përparim madhor në pesë prioritetet kyçe dhe gëzon të gjitha kapacitetet e nevojshme për të rrugëtuar më tej drejt anëtarësimit në BE.” – u shpreh Cakaj në postim.
Më tej, bashkëbiseduesit theksuan nevojën e menjëhershme të liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës, sepse sipas tyre, jo vetëm që i ka plotësuar kushtet teknike, por ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në rajon për të fituar mundësinë e lëvizjes së lirë në hapësirën e familjes evropiane.