“Shqipëria ka kryer të gjitha detyrat dhe është gati të marrë kryesimin e OSBE-së”. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj gjatë një takimi që zhvilloi në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.
Për herë të parë në histori Shqipëria do të marrë Kryesinë e OSBE-së në vitin 2020 dhe sipas Cakajt qeveria shqiptare i ka marrë të gjitha masat e duhura për një drejtim të suksesshëm të OSBE-së nga vendi ynë.
“Gjykuar nga këndvështrimi organizativ, Shqipëria është duke kryer të gjitha detyrat e nevojshme nëpërmes Task Forcës së ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Misionin e saj në Vjenë, në bashkërendim të plotë me vendet pjesëmarrëse. Po ashtu, krahas ndihmës së madhe të asistencës ndërkombëtare që i është bashkangjitur skuadrës shqiptare, diplomatët shqiptarë të angazhuar në çështjet e OSBE-së i janë nënshtruar ushtrimeve të veçanta.”- u shpreh Cakaj në reagimin e tij në Facebook.
Gjithashtu, Ministri në Detyrë Cakaj shtoi: “Gjykuar nga këndvështrimi politik, Shqipëria ka paraqitur prioritetet fillestare të Kryesisë së saj që shtrihen në të gjitha dimensionet e angazhimeve të OSBE-së, ushtarake-politike, ekonomiko-mjedisore dhe të drejtat themelore të njeriut.”
Në përfundim, referuar Kryesimit të Grupit të Mesdheut nga Shqipëria, Ministri në Detyrë Cakaj informoi se po përmbyllen të gjitha detyrimet për të pasur një Konferencë dinjitoze në muajin tetor, në Tiranë.