Çfarë la pas zjarri në Notre-Dame? Fotot brenda katedrales

Më të fundit


“Shkëndija dhe copa druri që i përkasin çatisë së ndërtuar në shekullin e 12-të, ende vazhdojnë të nxjerrin tym si për të treguar mbetjet e fundit të zjarrit.

Ndihet aroma e rëndë që të djeg fytin sikur sapo ke gëlltitur një dozë të madhe kripe, ndërsa këmbët e mia janë ngjyer me llum. Pllakat e lashta të zeza dhe të bardha janë mbuluar nga hiri dhe uji që lëshojnë pompat e zjarrfikësve dhe duket që një pjesë e lumit Sena është futur brenda.

Megjithatë, unë mund të raportoj me besnikëri se Katedralja e Notre Dame nuk është shkatërruar tërësisht. Sepse unë jam duke qëndruar brenda saj”. Kështu ka raportuar gazetari britanik Robert Hardman në një ekskluzive për DailyMail ku dhe ka renditur fotot nga brenda të katedrales e cila ende vazhdon të qëndrojë në këmbë.

U deshën 9 orë dhe 500 zjarrfikës për të shuar zjarrin e madh që ra dje rreth orës 18.50 minuta në katedralen Notre-Dame të Parisit.

Sot në orët e para të mëngjesit autoritet franceze njoftuan se zjarri është shuar plotësisht dhe se situata është nën kontroll.

Po çfarë la pas zjarri në Notre-Dame? Mediat ndërkombëtare shkruajnë se është shkatërruar dy e treta e tavanit por fatmirësisht ka arritur të shpëtohet struktura e katedrales së famshme.

Prokuroria e Parisit ka nisur hetimet për zjarrin, ndërsa policia ka hedhur hipotezën se gjithçka nisi gjatë punimeve për restaurimin e katedrales. “Le Monde” shkruante se zjarri nisi në papafingon e monumentit përpara se të përhapej në çati.

Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe konsiderohej po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar që vizitohej çdo vit nga rreth 13 milionë turistë.



Skip to toolbar