Degradimi i simboleve të protestës/ Nga flamingo në arkivol, Demo: Ne do komunikojmë me qytetarët

AKTUALITET


Nga “flamingo” në “arkivol”. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo ka komentuar protestën, e cila sipas tij ka pësuar një “metamorfozë” në simbolikën e saj, duke iu referuar figurave dhe mesazheve të përcjella gjatë saj ditëve të fundit.

Për kërkesat e tyre, Demo tha se ato konsiderohen të qenësishme dhe po shqyrtohen nga qeveria.

“Vetë protesta në 36 ditë ka pësuar një metamorfozë shumë interesante sepse zgjodhi simbolet për të komunikuar disa mesazhe, ku i pari ishte flamingo. Pas 36 ditësh, nga flamingo na u shfaq një arkivol. Ky është një rrugëtim interesant. Nëpërmjet vdekjes s’mund të perceptohet zhvillim. Duket sikur flamingot kanë shtegtuar nga bulevardi. Detyra jonë është që flamingot të ndihen si në shtëpinë e tyre kudo. Referuar kërkesave, jemi duke marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat që janë të qenësishme. Mendoj që kjo protestë sjell energji dhe karburant të shtuar sa u përket reformave. Do ta kemi vëmendjen e duhur që jo thjesht t’i dëgjojmë e lexojmë, por edhe të flasim me këdo që është i prirur drejt një komunikimi që ofron produkt real”, tha Demo.

Ministri Demo u ndal edhe te reforma territoriale. Ai tha se java në vijim pritet të jetë vendimtare për vijimësinë e saj.

Sa i përket situatës së zjarreve, Demo tha se infrastruktura e emergjencave do të përmirësohet falë një fondi prej 20 milionë eurosh, ndërsa bonusi i zjarrfikësve do të përfshijë mbështetje për të gjithë ata që luftojnë me zjarret.

““20 mln euro do të jenë të fokusuara në logjistikë sa u përket infrastrukturës së emergjencave. Kemi financim prej 10 mln eurosh që do të jetë i fokusuar në një program të ri për përmirësimin e transportit urban, i cili problematikat po i nxjerr më shumë në pah. Besoj do të jetë edhe përgjigje e ankesave që ne hasim”, theksoi ai.



Skip to toolbar