Deklaratat e Vuçiç për masakrën e Reçakut, Rama: Hiq dorë nga regjimi i vjetër i përgjakshëm

KOSOVA


Kryeministri Rama ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit Vuçiç, duke i bërë thirrje që të heqë dorë nga regjimi i vjetër e i përgjakshëm i Beogradit dhe të shikojë përpara. Reagimi i kreut të qeverisë shqiptare ka ardhur pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili edhe të shtunën përsëriti qëndrimet e tij se masakra e Reçakut në Kosovë është e fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, ndërkohë që dy ditë më herët, e cilësoi masakrën “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker”. Këto deklarata të Vuçiç ngjallën reagime të shumta, ku të shtunën ambasada e SHBA në Prishtinë tha se retorika nxitëse dhe përpjekja për ndryshimin e historisë janë të papranueshme.

Duke u nisur nga këto deklarata, edhe kryeministri Rama reagoi ndaj Vuçiç, duke i kërkuar që Serbia të pranojë krimet e luftës. “Si mundet që dikush të mohojë sot një krim lufte të dokumentuar mirë! Pse është kaq e vështirë për të kuptuar që për aq kohë sa Serbia do të jetojë me mohimin e realitetit të qartë si kristal të Kosovës, fantazmat e së kaluarës do të vazhdojnë të minojnë rrugën e Serbisë drejt të ardhmes!”, deklaroi Rama, nëpërmjet një postimi në Twitter. Duke iu drejtuar si miq, ai kërkoi nga autoritetet serbe të ndalojnë denoncimet për një luftë të ndyrë që bëri një regjim i vjetër i përgjakshëm në Beograd! “Lëvizni përpara! ‘Lërini të vdekurit të varrosin të vdekurit’ dhe le të bëjmë së bashku atë që duhet: Të ndërtojmë paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe të fillojmë ta bëjmë model rolin e rajonit tonë!”, deklaroi Rama.


Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Më 5 dhjetor një gjykatë në Prishtinë e dënoi me dy vjet heqje lirie një ish ministër serb të qeverisë së Kosovës për shkak të mohimit të kësaj masakre dhe ky vendim riktheu rrëfimin serb për të, gjë që nxiti reagime në shkallë të gjerë. Kjo solli reagimin e Vuçiç dhe më pas të ndërkombëtarëve, të cilët vunë në dukje se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve.




Skip to toolbar