Pas kthimit në kuvend të dy projektligjeve të qeverisë nga ana e presidentit Meta ka reaguar zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali e cila përforcon vendosmërinë e maxhorancës për ta shkarkuar sa më parë presidentin, teksa shkruan se “presidenti na ka lënë, ka mbetur vetëm karikatura e Ilir Metës”.
Meta kthehu të martën ndryshimet në Kodin Penal, ndërsa të mërkurën nuk firmosi ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe PPP-të. Ky qëndrim i Metës është cilësuar nga zëdhënësja e Ramës, si një fakt që tregon qartë se Shqipëria nuk ka president.
“Nga lartësia e maleve ku thotë se po ngjitet me Çelebiun e tij, Baba Xhikja lëshoi dje një tjetër krisëm nga dyfeku presidencial.
Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës.
Për kthimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Penal nuk habitemi.
Nuk kemi si presim ndjeshmëri nga Baba Xhikja për hurin në stadiume, sigurinë ushqimore, bllokimin e akseve rrugore e të veprave, vjedhjen e pronësisë intelektuale, dëmtimin e zonave të mbrojtura, për mjekët, policët apo zyrtarët e goditur për shkak në detyrës.
Kur votojmë shtrëngimin e litarit të ligjit kundër dhunës në sport apo dhunuesve në tërësi, nuk kemi ç’presim tjetër nga Baba Xhikja i zjarrit të kërcënimeve ndaj zgjedhjeve, i dekreteve molotov për destabilizimin e vendit, i fjalimeve halucinante kundër ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Qeni i kthyer në manar në krahët e tij, tifozët skocezë të kthyer në elektorat në sytë e tij, tërmeti apokaliptik i kthyer në qëndrim zyrtar me vulën e tij dhe ngjitja majë maleve e projektuar si karshillëk kreshnikësh ndaj botës mbarë, në mendjen e tij, flasin qartë që presidenti na ka lënë.
Ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes në presidencë, prej ku çeta e tij e mbledhur grusht nën dritën e hënës, pret tërmetin dhe urdhërat nga mali për të shkrepur dyfekun”, shkruan Spiropali.
Pritet që në shtator maxhoranca të rinisë punën në komisionin hetimor për të shkarkuar sa më parë presidentin Meta. Ai akuzohet nga maxhoranca se ka shkelur kushtetutën përmes dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Maxhoranca i është drejtuar me një kërkesë për dhënie opinionin edhe Komisionit të Venecias, në mënyrë që vendimi përfundimtar i Kuvendit për shkarkimin e Metës të mos ketë asnjë pikë dyshimi. Gjithsesi për shkarkimin e presidentit do të flasë edhe Gjykata Kushtetuese e cila pritet të jetë funksionale në shtator. Deri atëherë presidenti ka edhe disa ditë kohë për të vazhduar luftën e tij të dekreteve kundër qeverisë./Realstory.al